Dy vëllezër shqiptarë, hajdutë profesionistë, u strehuan në Parma, pasi ishin në kërkim nga Policia e Modenës. Megjithatë, njëri prej tyre, 24 vjeç, tashmë ka përfunduar në pranga, madje nuk ka shpëtuar mirë nga aksioni për kapjen e tij.
Eduart Nezha, i ngarkuar me veprat penale të vjedhjes së apartamenteve në periferi të Modenës, u arrestua dhjetorin e kaluar.
Policia e Parmës ushtroi kontroll në banesën e dajës së tij, me iniciale T.D., i cili po strehonte nipin e tij.
Pas arritjes së policisë në shtëpinë e dajës së vëllezërve hajdutë, këta të fundit ishin duke fjetur në njërën dhomë dhe pasi kuptuan ç’po ndodhte, të gjendur në vështirësi, u ngritën në tentativë për t’i shpëtuar policisë, raporton Tirana Today.
Dy të rinjtë, ranë nga kati i katërt i ndërtesës, ndërsa lartësia është e krahasueshme me atë të katit të pestë. Sigurisht, shqiptarët pësuan lëndime të shumta, duke lënë edhe njolla gjaku në dysheme.
Karabinierët panë nga dritarja dy shqiptarët të rrëzuar në tokë, teksa njëri prej tyre përpiqej ta ngrinte vëllanë për t’i ikur policisë. Por, i alarmuar nga prezenca e efektivëve, njëri prej vëllezërve u përpoq të fshihej pas një gardhi teksa u largua rreth 100 metra, por nuk arriti t’i ikte policisë.
Nga hedhja nga kati i katërt, i riu ka pësuar fraktura të shumta në gjymtyrët e sipërme, gjymtyrët e poshtme dhe në legen. 24-vjeçari u dërgua menjëherë në spital, ndërsa i vëllai i tij 22-vjeçar arriti t’ia mbathë, raporton Tirana Today.
Ky i fundit po hetohet së bashku me xhaxhanë e tij dhe motrën e këtij të fundit, që jeton në të njëjtën shtëpi. Në apartamentin e tyre u gjetën shumë objekte me vlerë, të vjedhura, si: orë të markave të shtrenjta, bizhuteri, një koleksion me monedha të vjetra, pinca, celularë etj me vlerë 40 mijë euro.
Kapja e 24-vjeçarit shqiptar u bë falë gjurmëve të gishtave që ai kishte lënë në një makinë të vjedhur në Modena më 4 nëntor. TIRANA TODAY