Disa ditë më parë në median greke u publikua lajmi për sekuestrimin e një gomoneje që vinte nga Shqipëria më 1.6 tonë kanabis. Operacioni i policisë greke zgjati disa orë dhe u bë shumë mediatik sepse pati shkëmbim zjarri midis trafikanteve dhe policisë. Në këtë operacion u përdor dhe helikopteri. Por policia greke refuzoi që të ndante informacion me policinë shqiptare, kjo sepse mendon që trafikantët që ajo arrestoj janë të lidhur më politikanët shqiptare dhe të lidhur me kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri(lajmin e plotë lexoje këtu). Duhet theksuar se edhe në rastin e Klement Balilit pas informacionit që grekët dhanë ai arriti të arratisej dhe sot akoma është arrestuar. Këtë herë policia greke nuk tregoi asgjë përveç informacioneve që kanë dalë në median greke.
Pas operacionit të suksesshëm të policisë greke, autoritetet policore shqiptare kanë kryer kontrolle në banesat e gjashtë shqiptarëve të arrestuar në Greqi si të përfshirë në trafikun e drogës.
Deri më tani janë identifikuar emrat Arban Baxherit nga Saranda, Ervis Çaushajt nga Përmeti si dhe Emiliano Kolës nga Vlora.
Po ashtu dyshohet se pjesë e grupit është edhe një person tjetër me inicialet B. K. nga fshati Zhepovë i Përmetit. Për këtë të fundit ende nuk ka të dhëna të sakta, por policia mësohet se është vënë në kërkim të tij.
Arban Baxheri 32 vjeç që cilësohet si një nga personat kyç në këtë rrjet, është një emër i njohur për policinë e Sarandës. Ai është shoqëruar disa herë për dyshime që lidhen me përfshirjen e tij të trafikun e drogës, por më pas është lënë i lirë.
Nga burime të policisë mësohet se 32-vjeçari është i martuar dhe ka një fëmijë. Ai është njohur qytetin bregdetar si pronar i një dyqani celularësh, por aktualisht është i papunë dhe në emër të tij nuk rezulton asnjë biznes.
Baxheri u plagos me thikë dhe u godit me shkopinj bejzbolli më 18 Gusht pas një konflikti në qendër të Sarandës pas një prite nga tre persona. Dyshimet edhe për këtë rast kishin të bënin me konfliktet për pazaret e drogës. Pas ngjarjes ai u mjekua fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas u transportua në Janinë. Për ngjarjen, policia arrestoi tre persona të cilët më pas u lanë të lirë, shkruan Klan.Tv.
Nga kontrolli i kryer nga policia në sistemin TIMS, rezulton që 32-vjeçari të ketë dalë nga Shqipëria me 15 Nëntor të këtij viti duke udhëtuar drejt Greqisë. Kontrollet e banesave janë kryer edhe në banesën e Emiliano Kolës në Vlorë, por nuk janë gjetur të dhëna komprometuese. Në Përmet Policia ka konstatuar se familja e Ervis Çaushit, nuk jetonte prej kohësh aty dhe madje nuk kishte as banesë në pronësi. Ai dhe familja e tij rezultojnë të jenë larguar në Greqi pak vite më parë. Nga verifikimet nuk rezulton që ata të kenë pasur precedentë penalë në vendin tonë.