Ditën e djeshme një ngjarje e rëndë ndodhi në Vlorë, ku shpërtheu një automjet tip Jeep në ecje, teksa i ishte vënë tritol.
Si pasojë, 25-vjeçari Inez Hajrulla mbeti i plagosur rëndë dhe ka humbur njërën këmbë.
Por, edhe pse i plagosur rëndë, policia ka arrestuar të riun, me arsyetimin se pas kontrollit të mjetit është gjetur në një armë zjarri pistoletë tip “Glock”, ndërkohë që nuk ka gjetur ende autorët e atentatit.
I riu është djali i një biznesmeni të njohur në Vlorë, pronar i një lokali të frekuentuar në qytetin bregdetar.
Sipas policisë, Hajrulla është person me precedentë të theksuar kriminalë.
Mjeti me targa AA 298 CL shpërtheu dje në lagjen “Hajro Çakërri”, tek zona e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” gjatë ecjes, ndërsa dyshohet se i janë vënë 300-400 gram tritol.
NJOFTIMI:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Seksionit kundër krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të vendosjes së një sasie lënde eksplozive në automjetitin e shtetasit Inez Hajrulla, ku si pasojë e shpërthimit ky i fundit mbeti i plagosur në gjendje të rëndë, ju informojmë se
Gjatë kqyrjes së mjetit tip “Jeep” në pronësi të shtetasit Inez Hajrulla, mjet të cilit ju vendos dhe shpërtheu lënda eksplozive, në sedilien e shoferit grupi hetimor ka konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë supi brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë tip ”Glock”, me fishek në fole dhe 17 fishekë në krëhër.
Në këto kushte Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda në D.V.P.Vlorë, kanë bërë arrestimin e shtetasit Inez Hajrulla, 25 vjeç, banues në Vlorë.
I.Hajrulla është shtetas me precedentë të theksuar kriminal si edhe i dënuar më parë për disa vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, vjedhje me dhunë dhe trafikim të mjeteve motorike.
Theksojmë se një vit më parë ky shtetas është arrestuar po për të njëjtën vepër penale, atë të: “Mbajtjes paleje të armëve luftarake dhe e municionit”. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.