Skënderbeu do të presë në “Elbasan Arena’, kryesuesit e grupit, Dinamon e Kievit në sfidë e radhës të fazës së grupeve vë Europa League. Tekniku Ilir Daja është shprehur optimist se Skënderbeu mund të marrë një rezultat pozitiv dhe që ta arrijë këtë ai do të hedhë në fushë një skuadër sulmuese. Janë edhe dy sfida vendimtare për korçarët të cilët akoma shpresojnë në një kualifikim të mundshëm, por kanë si detyrim ti fitojnë të dyja këto ndeshje. Kujtojmë që Dinamo e Kievit e ka siguruar kualifikimin dhe nuk dihet sa i fortë do të jetë impenjimi në këtë sfidë, pasi në tre ditë ata kanë kryer vetëm një seancë stërvitore.
“Do luajmë gjithçka për gjithçka sepse janë dy ndeshjet e fundit dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk na shërben. Por duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse do të kemi përballë skuadrën që kryeson grupin, dhe që ka fituar dy transfertat që ka luajtur në Bernë dhe Beograd ndaj Young Boys dhe Partizanit. Do të luajmë për fitore, por do të jemi të balancuar në fushë. Duhet të bëjmë një paraqitje si ajo e pjesës së parë ndaj Dinamos së Kievit në Ukrainë. Do të sulmojmë por në të njëjtën kohë do të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje sepse nëse pësojmë gol të parët më pas do të jetë shumë e vështirë përmbysja e rezultatit”, u shpreh Daja.
Skënderbeu ka bërë një paraqitje mjaft dinjitoze në këtë fazë grupesh, ku pavarësisht rezultateve të marra është treguar i barabartë në fushë me kundërshtarët dhe ka treguar një nivel të lartë futbolli. Duke e përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptarë i cili dukshëm ka pësuar rritje.
“ Për të shpresuar deri në ndeshjen e fundit ndaj Young Boys që do ta luajmë në Zvicër te kualifikimi, duhet të sulmojmë me disa futbollistë zonën kundërshtare, të jemi agresivë përpara portës por edhe të kemi shumë balancë në mesfushë dhe mbrojtje. Pozitiv për atë çfarë kemi realizuar deri tani është se me të treja e ekipet e grupit kemi luajtur si të barabartë, nuk kemi qëndruar në mbrojtje por kemi bërë lojën tonë, mendoj se ky është një hap përpara dhe tregon rritjen e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, falë Skënderbeut”.
Pas sfidës së Europa League, korçarët do të kenë dy sfida mjaft deçizive në kampionat, pasi do të presin Partizanin në shtëpi dhe do të udhëtojnë drejt Kukësit nja javë më pas. Për teknikun Daja këto dy sfida janë mjaft të rëndësishme, pasi edhe ekipi ka objektiv titullin kampion.
“Titulli është primar për ne ndaj edhe 6 pikët me dy rivalët tanë janë më të rëndësishme. Por ama nëse fitojmë me Dinamon, mund të kishim një bonus psikologjik për të bërë sërish diferencën me kundërshtarët tanë.”
Sa i përket dëmtimeve duket se të gjithë lojtarët janë rikuperuar dhe do të jetë të gatshëm për këtë sfidë, vetëm Nespor nuk ia ka dalë dot të rikuperohet në kohë. Ndërsa Lilaj duket se e ka lenë pas plotësisht dëmtimin dhe do të jetë titullarë përballë Dinamos. Kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, pas atij ndëshkimi që i bëri UEFA klubit pas ndeshjes me Partizanin e Beogradit.
“Sabien Lilaj do ta nisë nga fillimi sfidën. Jashaniça do të qëndrojë në pankinë pasi ka pak ditë që stërvitet me grupin. Përveç Nespor e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Futbolli luhet për tifozët. Krijohet një tjetër atmosferë kur ke mbështetjen e tyre. Do ta ndiejmë ndaj Dinamos mungesën e tifozëve, por kjo nuk varet nga ne, tifozët do të jenë një mungesë e rëndësishme”.