Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar nga Rama që të mos i ushtrojë preison Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas mbledhjes me grupin parlamentar të PD-së, Basha dha një deklaratë për mediet, ku tha se Saimir Tahiri duhet të arrestohet dhe nuk do i shpëtojë drejtësisë.
I pyetur lidhur me dorëheqjen e kreut të SHISH, Basha tha se nuk ka informacione konkrete, por beson se mund të ketë ardhur si pasojë e presioneve politike në sajë të punës së SHISH në dy vitet e fundit.
FJALA E BASHËS:
Kërkesa jonë e pandryshueshme është që Rama të mos ushtrojë presion ndaj prokurorisë dhe të mos përdorë imunitetin parlamentar për të mbrojtur Tahirin nga kërkesat e drejta të Prokurorisë. Saimir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit parlamentar për të ndalur arrestimin e Samir Tahirit, bëhet vetëm për të mbrojtur atë dhe bashkëpunëtorët e tij duke përfshirë Edi Ramën.
Kam konstatuar të njëjtën gjë, mundësinë e presioneve ndaj kreut të SHISH, nuk kam informacione konkrete, por një gjë është e sigurt, një shërbim informativ i cili harton raporte për përfshirjen e krerëve të policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vjetësh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës. Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër, përveçse presionit politik. Kjo tregon që narko-shteti është në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Saimir Tahirit, por e kundërta do të ndodhë, kësaj afere do t’i shkohet deri në fund, Saimir Tahiri nuk do i shpëtojë drejtësisë.
Kjo çështje jo vetëm që nuk do mbyllet, por ditët në vijim do të hapen çështje tjera.