Moskë – Në vitin 1984, pak përpara ngjitjes së Mikhail Gorbaçovit në pushtet, në Moskë kishte një ndjesi se Bashkimi Sovjetik ishte i ngurtësuar, dhe se asgjë s’mund të ndryshonte. Pastaj gjithçka ndryshoi, duke ekspozuar shkallën e transformimit që kishte ndodhur nën sipërfaqe. Sot, një ndjenjë e ngjashme po e përshkon Moskën, me regjimin e presidentit Vladimir Putin që është duke u shfaqur në dukje i qëndrueshëm, madje i pathyeshëm.
Por, ashtu si atëherë, një vëzhgim më nga afër zbulon një numër të gjymtyrësh të vëna në protezë. Në shumë aspekte, Rusia është rikthyer prapa në dekadat e fundit. Në vitet 1990, Rusia ishte një han pa porta, ku praktikisht çdo gjë ishte e lejuar. Moska kishte 20 gazeta të përditshme, me pikëpamje që varionin nga ato liberale në staliniste.
Sot, shoqëria civile ruse është e shtypur me egërsi, dhe të shohësh televizor në Moskë, do të thotë të gjesh 20 kanale të gjitha të kontrolluara nga Kremlini. Në vitin 1991, Boris Jeltsin, në një nga aktet e tij të para si President, e ndau KGB-në e vjetër në disa agjenci, përgjysmoi stafin e saj dhe i reduktoi buxhetin. Sot, pasardhësi i KGB-së, Shërbimi Federal i Sigurimit (FSB), ka vënë nën kontroll të plotë aparatin rus të sigurisë, duke përfshirë edhe gjeneralët e nivelit të lartë në agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit. Rezultati është një shërbim i vetëm sigurie, që është më i fuqishëm se në çdo kohë që nga epoka e Stalinit – dhe shihet si i pavarur nga Kremlini.
Rusia ka shënuar hapa pas edhe në frontin ekonomik. Në vitin 2003, sektori privat i Rusisë jepte 70 për qind të PBB-së së vendit. Sot, sektori shtetëror gjeneron pjesën më të madhe të prodhimit të vendit, duke zvogëluar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe ku 5 banka të mëdha shtetërore dominojnë tregun financiar. Për më tepër, politika e Putinit e “de-offshoring”, ka imponuar kontrolle të ashpra ndaj drejtuesve të biznesit të viteve 1990, saqë shumica kanë shitur pasuritë e tyre në Rusi, dhe janë transferuar në Londër apo Monako.
Kjo tendencë është përshpejtuar nga mungesa në Rusi e çdo të drejte mbi pronat e patundshme, çka i ka mundësuar Kremlinit që të zvogëlojë pasurinë kombëtare në madhësi, duke shënjestruar ata që respektojnë ligjin. Kësisoj, nuk është e çuditshme pse parashikimet për rritjen vjetore të PBB-së janë të mbërthyera në nivelin 1.5-2 për qind.
Regjimi dëshiron ta ndryshojë këtë model. Në majin e vitit të kaluar, Putini kërkoi nga 3 grupe ekspertësh, që të sugjerojnë programe reformash ekonomike:një grup liberal i udhëhequr nga ish ministri i financave, Alexei Kudrin; një grup teknokratësh i kryesuar nga ministri i Ekonomisë Maxim Oreshkin; dhe “Klubi Stolipin”, një organizatë më shumë etatiste e udhëhequr nga Avokati i Popullit, Boris Titov.
Secili grup ka dorëzuar mijëra faqe ekspertizë. Por çdo ndryshim drejt respektimit të sundimit të ligjit, do të jetë i papajtueshëm me karakterin kleptokratik të regjimit të Putinit, çka nënkupton se një reformë e mirëfilltë është jashtë diskutimit. Mandati i dhënë të tria grupeve, duket se ka qenë pak më shumë sesa një terapi për shkencëtarët socialë, një mënyrë për t’i mbajtur ata të angazhuar – dhe jashtë radhëve të opozitës.
Larg përqafimit të ndryshimeve, Putini do të kërkojë një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm – një garë që me siguri do ta fitojë, duke pasur parasysh kontrollin që Kremlini ka mbi mediat dhe gjykatat. Por, për ta bërë të besueshme fitoren e tij, Putini ka nevojë që popullata e diskriminuar ruse të paraqitet në kutitë e votimit.
Thuhet se Sergei Kiriyenko, zëvendëskryetari i parë i kabinetit në Kremlin, po synon një pjesëmarrje prej 70 për qind, me 70 për qind të atyre votave që shkojnë për Putinin. Por kjo s’do të jetë e lehtë të arrihet. Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në shtatorin e vitit 2016, vetëm 47.8 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dolën në votime. Në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar, pati një pjesëmarrje edhe më të dobët, me Vladivostokun që raportonte vetëm 13 për qind të zgjedhësve që dolën në votime.
Nëse votuesit do të votojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ata do të duhet të besojnë se është i mundur një ndryshim real. Putin ka nevojë për një rival të besueshëm, dhe jo për të njëjtët kandidatë të vjetër të lidhur me Kremlinin – komunisti Genadi Zyuganov, nacionalisti qesharak Vladimir Zhirinovsky dhe liberali Grigory Yavlinsky – për t’iu bashkuar garës.
Socialistja Ksenia Sobchak, e cili e shpalli kandidaturën e saj pas takimit me Putinit, mund të duket e aftë të injektojë njëfarë gjallërie në fushatë. Por ekziston vetëm një mundësi reale për të siguruar një pjesëmarrje të madhe të votuesve:aktivisti kundër korrupsionit dhe kritiku i zëshëm i Kremlinit, Aleksei Navalny. Në shtatorin e 2013-ës, kur Navalny garoi për kreun e Bashkisë së Moskës, mori 27 për qind të votave.
Por sondazhi i pavarur nga qendra Levada, llogariti se pavarësisht mbështetjes së fortë për Navalny në Moskë, ai nuk do të fitonte më shumë vota sot. Duke pasur parasysh këtë, disa këshilltarë në Kremlin duan ta lënë Navalny të garojë, ndërsa e mbajnë larg televizionit kombëtar. Dhe duket se Kremlini mund të ketë parasysh vetëm këtë, pasi e ka lejuar opozitarin të mbajë takime të mëdha elektorale me deri në 10.000 njerëz në 100 qytete.
Por të tjerët në rrethin e brendshëm të Putinit, do të preferonin ta fusnin Navalny-n në burg për herë të katërt brenda këtij viti – diçka kjo jo dhe aq e habitshme, duke pasur parasysh aftësinë e tij të provuar për të dëmtuar autoritetin e Kremlinit. Për shembull marsin e kaluar, Navalny prodhoi një dokumentar 50 minutësh mbi korrupsionin, duke zbuluar se kryeministri Dmitri Medvedev kishte përdorur 1.3 miliardë dollarë në ryshfete për të blerë 6 pallate dhe 2 vreshta. Filmi, i parë në YouTube nga rreth 25 milionë njerëz, i dha efektivisht fund karrierës politike të Medvedevit.
Tani, Putini duhet të marrë parasysh se kush duhet të zëvendësojë Medvedev. Në të shkuarën, ai ka vendosur zakonisht në atë pozicion një teknokrat besnik të vetin, dhe ka shumë kandidatë të mundshëm, sikurse është drejtuesi i paaftë i Gazprom-it Aleksei Miller. Çështja është nëse kryeministri i ardhshëm do të jetë më i lidhur ngushtë me Putinin apo FSB-në.
Shtetet e Bashkuara, mund të luajnë një rol të papritur në këtë dramë. Ligjet e miratuara së fundmi kundër kundërshtarë të SHBA-së në botë, përmes Aktit të Sanksioneve, që bën thirrje për hartimin e një raporti mbi “oligarkët dhe subjekteve gjysmë publike” ruse brenda 180 ditëve, ofron një mundësi unike për të ndikuar tek Kremlini para zgjedhjeve presidenciale.
Shumë nga pasuritë e Rusisë janë larguar tashmë nga Rusia, si pasojë e frikës nga FSB-së. Tani, Rusia mund të përjetojë një valë tjetër largimesh ehe të atyre që janë pranë Kremlinit, nga frika se Putini s’mund t’i mbrojë dot më. Putin mund të garantojë edhe një mandat tjetër presidencial, por një regjim që nuk mund të kënaqë më as sundimtarët e vet, është vështirësisht i qëndrueshëm.
Shënim: Anders Aslund është bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dhe autor i një libri rreth kapitalizmit nepotik në Rusi.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce