Nga Anne Applebaum/“Der Spiegel”
Sapo dëgjuam lajmin, donim të ishim sa më parë atje. Por në epokën e një pamundësive të mëdha, të mungesës së karburantit, rregulloreve të pakuptimta dhe rrugëve të këqija, nuk ishte aq e lehtë të udhëtoje me makinë nga Varshava për në Berlin. Kur mbërritëm atje, ishte mbrëmja e 10 nëntorit 1989 – ose më mirë, orët e para të mëngjesit të 11 nëntorit.
Berlini Lindor qe i zymtë, i ndriçuar vetëm nga llambadarët e zbehtë ngjyrë portokalli nëpër rrugë kryesisht të heshtura. Pa pasur një hartë, ne u nisëm drejt qendrës së qytetit, përmes pikës së famshme të kontrolli Charlie – përkundër rregullave roja na lejoi të kalonim, pasi i bërtisnim pa pushim: “Muri është rrëzuar, e kujt ia ndjen më për rregullat?”- dhe arritëm në Portën e Brandenburgut.
Qemë vonë për festën. Shishet e shampanjës ishin hapur më kohë; në vend se të brohoriste, turma ishte duke u tallur me rojet e Gjermanisë Lindore, që mbanin ende uniformat speciale për rastet e trazirave, dhe qëndronin në këmbë përgjatë kufirit. Vite më vonë, një historian gjerman më tha se anëtarët e politbyrosë së Gjermanisë Lindore kishin debatuar nëse duhet të qëllohej mbi turmën që ishte mbledhur para Murit.
Ata nuk qëlluan. Kjo nuk ndodhi as në Lajpcig, megjithëse spitalet ishin urdhëruar të përgatiteshin për viktima të mundshme. Nuk pati fare dhunë në Gjermani në vitin 1989. Në vend të kësaj, shteti i Gjermanisë Lindore u dorëzua. Kjo ndodhi pjesërisht, për shkak se regjimi komunist e kishte humbur besimin, dhe nuk qe më i gatshëm të përdorte dhunën për të qëndruar në pushtet.
Por, ai gjithashtu hoqi dorë, pasi ishte joshur në mënyrë të pashmangshme nga Gjermania Perëndimore, e cila ishte e qetë dhe e pasur, e hapur dhe bujare, pjesë përbërëse e një aleance të madhe perëndimore dhe demokratike. Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë 3 dekadave të fundit. Qyteti që pashë në nëntorin e vitit 1989, me atë hapësirën surreale bosh në qendër, nuk duket si qyteti që njoh sot. Burokratët dhe politikanët flasin tani me të rinjtë e epokës digjitale- dhe madje edhe këta duken shumë të zënë dhe të veshur më mirë nga sa duhej të ishin.
Tani është koha për udhëheqjen gjermane
Por ca gjëra s’kanë ndryshuar. Vendi që pashë atë natë – Gjermaninë që shmang dhunën; Gjermaninë që e përqafoi menjëherë ribashkimin; Gjermaninë që mbetet skeptike për të gjitha format e ekstremizmit, Gjermaninë që është fort e ankoruar në komunitetin demokratik transatlantik – ajo Gjermani është ende aty.
Ju ende mund ta dëgjoni atë në debatin politik gjerman; dhe mund ta shihni ende në shtypin gjerman. Çështja tanimë është nëse Gjermania mund të mbijetojë. Unë e kuptoj se kjo mund të tingëllojë si diçka e çuditshme të thuhet sot. Më së paku, pretendimi i Gjermanisë për të qenë një anëtare e integruar e aleancës perëndimore, nuk ka qenë kurrë më i fortë.
Disa madje flasin për Gjermaninë si udhëheqësen e re të Perëndimit. Ndërsa Amerika e Donald Trump po izolohet në vetvete, ndoshta duke e braktisur agjendën e tregtisë së lire, dhe angazhimin e saj të gjatë ndaj demokracisë, Gjermania duket si një zëvendësuese e mundshme.
Një sondazh i vitit 2013, tregonte se Gjermania është vendi më i admiruar në botë; dhe kancelarja Merkel një nga figurat më të besuara publike në Evropë. Angazhimi publik i Gjermanisë ndaj ambientalizmit, multilateralizmit dhe të drejtave të njeriut, i jep Berlinit një pozicion të moralshëm; fuqia industriale e Gjermanisë dhe ajo e eksportit, i kanë dhënë Gjermanisë një forcë të madhe ekonomike.
Por në një botë ku fuqia amerikane po dobësohet, dhe fuqitë autoritare janë duke u rritur, edhe sa kohë mund të zgjasë e gjithë kjo? Nga viti 1945 deri më 1989-ën, ushtria amerikane i dha Gjermanisë Perëndimore sigurinë dhe garancinë për të zhvilluar kulturën e saj unike politike.
Por tashmë janë shumë vende, duke përfshirë edhe disa në kufijtë e Evropës, që nuk ndajnë angazhimin kombëtar të një Gjermanie të ribashkuar, ndaj pacifizmit dhe jo-dhunës.
Dhe ka shumë arsye për të dyshuar nëse Amerika do t’i përballojë dot ato. Trump mund të jetë vërtetë një shmangie nga presidentët tradicionalë amerikanë, por ai pasqyron një lodhje dhe një dyshim real të SHBA-së, mbi vlerën e aleancës transatlantike. Gjermanët duhet të kenë një plan për t’u marrë me kërcënimet në mungesë të Amerikës. Tani për tani, nuk e kanë diçka të tillë.
Gjermanët hiqen sikur nuk ekzistojnë
Të paktën Gjermanisë në vetvete, i mungon fuqia ushtarake, dhe për këtë arsye levat e politikës së politikës së jashtme për ta mbajtur Evropën të sigurt nga agresioni i ardhshëm rus; për të ndihmuar në arritjen e paqes – dhe kësisoj dhënë fund krizës së refugjatëve – në Lindjen e Mesme; për të bërë diçka në lidhje me rindërtimin e Libisë, përveçse vetëm të flasë për të.
Gjermanët dikur u përballën me problemin e bashkimit, dhe shpenzuan kohë dhe burime për zgjidhjen e tij. Por kur bëhet fjalë për problemet në rajonin më të gjerë, Gjermania ka munguar. Në vend të kësaj, gjermanët duken nganjëherë të vendosur të pretendojnë sikur nuk ekzistojnë. Presidenti Trump është kritikuar me të drejtë për sulmet e tij verbale ndaj NATO-s, por edhe politikanët gjermanë kanë ndihmuar në minimin e mbrojtjes së Perëndimit.
Në vitin 2013, avionët rusë simuluan një sulm ndaj kryeqytetit suedez Stokholm; në vitin 2016, Rusia transferoi raketa bërthamore në Kaliningrad, në rrezen e goditje së Gjermanisë. Megjithatë, kur NATO paralajmëroi një seri stërvitjesh në Evropë në të njëjtin vit – me synimin e pengimit të ndërhyrjes ruse – ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier i denoncoi ato si “luftënxitëse”. Kohët e fundit, shefi aktual i diplomacisë, Sigmar Gabriel, e ka shndërruar në një çështje elektorale buxhetin gjerman të mbrojtjes.
Duke patur parasysh gjendjen e dobët të forcave të armatosura gjermane, Bundeswehr, kjo lëvizje duket jashtëzakonisht e papërgjegjshme. Problemi nuk qëndron thjesht tek mbrojtja ushtarake. Fuqitë e sotme autoritare, qoftë në Shtetin Islamik apo Kremlin, janë më të sofistikuara sesa shteti sovjetik që dikur pushtoi gjysmën lindore të Gjermanisë, dhe ndërtoi Murin e Berlinit.
Ata kërkojnë të rekrutojnë përkrahës, ose të ndikojnë politikën përmes mediave sociale. Të huajt e pasur, rusët dhe të tjerët, përpiqen të diktojnë politikën dhe opinionin gjerman përmes parave dhe korrupsionit. Gjermanët janë me të drejtë krenarë, që sundimi i ligjit në vend është aq i fortë – por sigurisht që ai mund të dëmtohet, si kudo tjetër, nëse nuk ata nuk janë vigjilentë në mbrojtjen e tij.
Por vigjilenca kërkon njohuri:Para se të mbroheni nga një sfidë, duhet të kuptohet që kombi është i kërcënuar, dhe unë nuk jam e sigurt se gjermanët janë.
Unë mund të kuptoj arsyet historike për ngurrimin e Gjermanisë, për të menduar rreth përballjeve ushtarake. Dhe i respektoj ato:besimi i Republikës Federale të pasluftës në zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve, bindja se problemet mund të zgjidhen nëpërmjet institucioneve, është gjëja më e admirueshme. Por ky nuk është një justifikim për sjelljen naive.
Nëse Gjermania nuk dëshiron një ushtri të fuqishme, duhet të punojë me institucionet që ka ndërtuar, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe veçanërisht me Francën dhe madje edhe Britaninë (kjo mund të jetë një mënyrë për t’i dhënë Londrës rolin e ardhshëm evropian) për të krijuar një forcë shumëkombëshe evropiane, e cila të mund të përdoret në mbrojtje të kufijve të Evropës dhe në emër të Evropës, në çdo kohë.
Ndërsa është e vërtetë se përgjigjet më të mira për sfida si siguria kibernetike, terrorizmi etj., do të jenë ato evropiane, është gjithashtu e vërtetë se ato kërkojnë që Gjermania, vendi më i pasur i Evropës – dhe shteti më i admiruar – t’i udhëheqë ato. Dhe kjo do të kërkojë një sakrificë nga ana e shumë gjermanëve. Ky nuk është momenti për t’u ndjerë të vetëkënaqur:Ashtu si në vitin 1989, nëse gjermanët duan të ruajnë atë që kanë arritur, do të duhet të ndryshojnë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Anne Applebaum është historiane dhe eksperte e respektuar mbi çështjet ruse. Ajo fitoi çmimin Pulitzer në vitin 2004 për librin e saj “Gulag”, mbi kampet e punës në Bashkimin Sovjetik. Ajo shkruan rregullisht për “Washington Post” dhe “Foreign Policy”.