https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/331542790623798/
Në vendin tonë janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet kryesore të vendit vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Pjesë e operacioneve kanë qenë 125 punonjës zjarrfikës, 21 automjete zjarrfikëse, 160 ushtarë të Forcave të Armatosura, mbi 60 punonjës vullnetarë, të Pyjores, të mbështetur dhe nga helikopterë. Gjithashtu Emergjencat Civile bëjnë të ditur se Greqia ka dërguar 2 avionë në ndihmë të operacioneve për shuarje të zjarreve.
Situata në qarqe:
QARKU TIRANË
Masivi pyjor i Malit të Dajtit është rrezikuar nga disa vatra zjarrit të cilat janë shuar pas ndërhyrjes së zjarrfikësve bashkë me forcat e ushtrisë dhe të Pyjores dhe ndihmën e një helikopteri.
Zona pyjore kodrinore e Ndroqit është përfshirë nga zjarri. Pas ndërhyrjes së forcave ushtarake dhe zjarrfikësve u arrit të shuhen vatrat e zjarrit.
Në fshatin Shëngjergj është dëmtuar linja e Tensionit të Lartë. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll.
QARKU VLORË
Zjarri ka rënë edhe në zonën e Parkut Kombëtar i Llogarasë, në fshatin Dukat të Vlorës. Përveç forcave zjarrfikëse, ushtrisë së vullnetarëve, në operacion janë përfshirë edhe 2 avionë nga Greqia, të cilët kanë bërë të mundur izolimin dhe fikjen e disa vatrave të rrezikshme zjarri. Operacioni pritet të vazhdojë edhe ditën e sotme.
QARKU DIBËR
Një sipërfaqe e madhe pylli me pisha është përfshirë nga flakët në fshatin Sllatinë, bashkia Dibër. Për shkak të terrenit të thyer malor forcat zjarrfikëse dhe ushtarake s’kanë mundur të shuajnë flakët. Po punon helikopteri për ta vënë nën kontroll situatën.
QARKU LEZHË
Në fshatin Manati ka rënë zjarr në një zonë me shkurre. Zjarri është shuar pas ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikëses.
QARKU DURRËS
Dy fshatra të Shijakut janë përfshirë nga flakët. Në fshatin Maminas, kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete duke shuar zjarrin, por fatkeqësisht janë djegur 1.5 dynym me shkurre dhe 15 pemë frutore.
Në Gjepalaj, ka rënë zjarr në sipërfaqe me bimësi dhe shkurre. Edhe pse zjarrfikësit të mbështetur nga punonjësit bashkiakë e kanë shuar zjarrin, janë djegur rreth 3 ha me bimësi dhe shkurre.
QARKU ELBASAN
Disa shkurre dhe ferra janë përfshirë nga flakët në fshatin Kokel pranë disa banesave. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin. Por janë djegur rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Krastë, bashkia Elbasan ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Janë djegur rreth 0.1 ha me shkurre dhe u përshkua nga flakët rreth 0.2 ha me pisha. Flakët janë shuar me ndërhyrjen e zjarrfikëses.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Krashtan, Dropull i Poshtëm ka rënë zjarr në shkurre tek varrezat e fshatit. Në fshatin Krahës i Sipërm, ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u përshkuan nga flakët rreth 100 rrënjë ullinj të vjetër, si dhe u dogjën rreth 50 rrënjë ullinj të rinj dhe 0.6 ha me shkurre. Në fshatin Hundëkuq ka rënë zjarr në kullotë dhe pyll dushku. Jane djegur rreth 20 ha me kullotë dhe pyll dushku. Në fshatin Kolonjë, ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë. U dogjën rreth 5 ha me shkurre dhe kullotë.
Flakët janë shuar pas ndërhyrjes së zjarrfikëses dhe ndihmave vullnetare.
QARKU KORÇË
Zjarr ka rënë edhe në Qafë Thanë (Hudenisht), ku flakët kanë përshkuar shkurre dhe ferra. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Janë djegur rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.