Zogu i Zi është një tjetër hapësirë e Tiranës që po i nënshtrohet ndryshimeve, pas rikonstruksionit të Rr. “Dritan Hoxha”. Pritet që ky rikonstruksion të përfundojë në fillim të shtatorit, ndërkohë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo ndërhyrje vjen si pasojë e nevojës për rehabilitimin e rrethrrotullimit.
“Vjet përfunduam hyrjen e Tiranës, Rr. “Dritan Hoxha”, e cila do të vazhdojë të sistemohet edhe këtë vit. Megjithatë, kjo është vetëm një ndërhyrje estetike. Këtu ka ekzistuar një pellgaqe bretkosash, por kjo s’mund të ishte hyrja e Tiranës. Projekti i ri parashikon një minipark, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instilacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve. Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi ‘Skënderbej’”, tha Veliaj.
Pas përfundimit të punimeve në rrethrrotullimin e Zogut të Zi, do ti kushtohet një rëndësi e vecantë edhe fasadave të pallateve përreth.
“Pavarësisht fuqisë ekonomike të Tiranës, do të kujdesemi që shtëpia jonë të duket sa më dinjitoze që në hyrje. Kjo do të përfshijë edhe disa ndërhyrje në fasadë. Do të ketë një pastrim fasadash nga reklamat, posterat dhe mbishkrimet e tepërta që janë ndotje estetike. Në disa kemi ndërhyrë me grafiti apo me vendosjen e sistemeve të reklamave dixhitale, por unë besoj që e ka mundësinë të jetë një mini “Time Square” i rrethuar me reklama dixhitale, me një qendër e cila do të jetë gjithashtu e vizitueshme”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se një nga projektet e ardhshme do të jetë ndërtimi i nënkalimit te sheshi “Shqiponja”, për të zgjidhur edhe problemet e trafikut.
“Fillimisht do të fillojmë me nënkalimin te sheshi “Shqiponja”, aty e kemi edhe nyjën më të madhe problematike dhe për sa kohë që zgjidhim atë, duke e integruar me Unazën e Madhe të Tiranës, do të shikojmë sesi do të sillet trafiku për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë edhe Zogut të Zi. Por, teksa mendojmë për një zgjidhje afatgjatë, është shumë e rëndësishme edhe estetika dhe funksionaliteti i kësaj që kemi. Ndaj mezi pres që në një kohë rekord, për pak javë, të kemi një hyrje të Tiranës që është po aq dinjitoze sa hyrja e çdo shtëpie të qytetarëve të Tiranës”, tha Veliaj.
Parashikohet që rrethrrotullimi i Zogut të Zi të jetë një minipark me gjelbërim, disa shatërvanë, si dhe infrastrukturë ndihmëse.