Shpesh ne sëmuremi gjatë stinës së verës, dhe në shumicën e rasteve shkaktarët janë kondicionerët, pijet e ftohta dhe mikrobet e ndryshme që qarkullojnë. Mjekët theksojnë se me shfaqjen e shqetësimeve të para duhet domosdoshmërish t’i drejtoheni specialistit, sepse mostrajtimi në kohë mund të shfaqë ndërlikime serioze.
Rënia e imunitetit, korrentet e ajrit, konsumimi i pijeve të ftohta, apo qëndrimi nën kondicioner apo ventilator, ndikojnë në acarimin e fytit, por dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Faktorët e tjerë gjithashtu janë dhe mikrobet dhe viruset e ndryshme qe ne temperatura te larta krijojnë terren të përshtatshëm për t’u shumuar.
Shenja më të dukshme që shfaqen janë:
Dhimbja e fytit, ndryshime te timbrit të zërit, këputje trupore. Fëmijët e vegjël mund të mos pranojnë ushqimin, për shkak të dhimbjes së fytit. Në raste të rralla fëmijët mund të kenë dhe temperaturë deri në 38 gradë.
Parandalimi:
Duhet treguar kujdes në ruajtjen e ambientit me temperaturë të përshtatshme. Po ashtu duhet treguar vëmendje në mënyrën e veshjes, duhet kujdes në qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar. Rekomandohet një ushqim i pasur me vitamina dhe kripëra minerale, që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar.
Këshillat që duhet të zbatoni:
Kujdes në ruajtjen e lagështirës së ajrit në ambientin ku jetoni; ajrosni ambientin ku qëndroni; pini sa më shumë lëngje dhe konsumoni ushqime të pasura me vitamina; tregoni kujdes në mënyrën e veshjes; shmangni korrentet e ajrit; qëndroni larg kondicionerëve apo ventilatorëve; konsultohuni me mjekun specialist për çdo shqetësim.