Kryeministri Edi Rama ka dalë para pak minutash nga selia e Partisë Socialiste, ku ndodhej që prej orës 09:00 duke ndjekur rezultatet e votimeve.
Partia Socialiste është shkëputur nga PD me një diferencë prej mbi 140 mijë votash, duke siguruar kështu fitore të padiskutueshme.
Tashmë, duket se Rama nuk ka nevojë më të ndjekë rezultatet e zgjedhjeve, pasi e ka fitoren në “xhep”.
Kryeministri nuk ka preferuar të flasë para kamerave, ndërsa dukej i qetë, serioz dhe ka dalë nga selia me duar në xhepa dhe duke përtypur çamçakëz.
Në hyrje të selisë ka përshëndetur disa simpatizantë socialistë dhe më pas është larguar me makinë.
Rama shoqërohej në seli nga kreu i PS-së Tiranë, Saimir Tahiri si dhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ndërkohë duke dalë nga selia rozë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dhënë një mesazh.
“I uroj forcë dhe durim të gjithë njerëzve që po punojnë ende”, tha Tahiri, duke mos komentuar shumë rezultatin.