Një 29-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi ka tentuar të përdhunojë shtetasen I.R., 22 vjeçe, banuese në Kamëz. Kjo e fundit ka qenë në makinë me 29-vjeçarin nga Lezha, i cili po e përcillte në shtëpi.
Vajza pretendon se Xhevahir G. Ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, në momentin që ajo ka bërë rezistencë. Por, vajza ka nisur të bërtasë dhe në një moment ka hapur derën e automjetit, duke arritur të largohet.
Në këtë moment, Xh.G., i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa e dëmtuara ka bërë kallëzim për atë që kishte ndodhur.
Mësohet se djali dhe vajza ishin njohur në Facebook, ndërsa pasditen e së shtunës, ajo kishte dalë për të pirë kafe me të, pasi djali i kishte thënë se do vinte nga Lezha për ta takuar.
Ata kanë folur në Facebook, por nuk ishin takuar asnjëherë më parë. Të shtunën në darkë, pas takimit, vajza i ka thënë shtetasit Xhevahir G. se duhej të kthehej në shtëpi, pasi ishte bërë vonë. Djali i ka thënë se do ta shoqëronte me makinë deri afër shtëpisë dhe ajo ka pranuar.
Por pak para se t’i afrohej shtëpisë, në një rrugicë të errët, ai ka tentuar të abuzojë seksualisht me të, pasi ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj. Megjithatë, 22-vjeçarja ka deklaruar se në një moment ka arritur t’i shpëtojë nga duart, ka hapur derën e makinës dhe është larguar me vrap.
Burimet thanë se është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, i cili akuzohet për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, e mbetur në tentativë”.