Nga: Roland Qafoku
Pas 12 dhjetorit 1990 kur u themelua, Partia Demokratike tashmë ka një datë që ka ndikuar më shumë se çdo zhvillim tjetër në historinë e saj. Më 9 shtator 2021, kryetari i asaj kohe, Lulzim Basha, përjashtoi nga partia Sali Berishën liderin historik të saj pas shpalljes non grata nga SHBA. Pas një viti nga ky vendim, në PD, por edhe në politikën shqiptare kanë rrrjedhur shumë ujra dhe kanë ndodhur shumë nëngjarje te tjera. Të gjitha këto derivate të atij vendimi. Janë të paktën 10 përfundime apo konkluzione që mund ti nxjerrim për atë që është vërejtur në këto 12 muaj.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike, kjo parti është e ndarë në dy parti dhe pritja e vendimit të Gjykatës së Apelit është kthyer në ankthin por edhe në vijën ndarëse të kësaj partie. Dorëheqja e Lulzim Bashës, komandimi në krye të Enkelejd Alibeajt nuk kanë sjellë asnjë afrim mes dy palëve. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e nisur në fillim si lëvizja “Foltore” dhe që më pas zgjodhi si kryetar Sali Berishën nuk ka arriti të realizojë bashkimin e madh të PD. Realisht Partia Demokratike funksionon si dy parti. Janë dy kryetarë, dy struktura dhe me dy agjenda të ndryshme.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës, Partia Demokratike është më e ndarë se kurrë. Ndarja e madhe nis te grupi parlamentar si institucioni më i rëndësishëm. Në këto 12 muaj Sali Berisha dhe lidershipi i “Foltores” nuk kanë arritur të bashkonin grupin parlamentar, instituconin që ka dalë nga vota e popullit. Nga 52 deputetë që ka ky grup, në mbledhjet e “Foltores” është arritur të mblidhen, në rastin më të mirë 17 deputetë, ndërkohë që pjesa e PD-së zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibejt ka arritur të mbledhë deri në 27 deputetë. Kjo tregon thellësisht përçarjen e Partisë Demokratike që në 12 muaj nuk u arrit në asnjë moment të shmangej dhe të sillte sado pak afrimin e të dy grupimeve.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës Partia, Demokratike nuk ka arritur të unifikojë opozitën dhe ta bashkojë ata në luftën opozitare ndaj qeverisë. Aktualisht ne kemi tri opozita: E para, ajo zyrtare me kryetar Enkelejd Alibeajn, e dyta e “Foltores” me kryetar Sali Berishën dhe e treta Partia e Lirisë me kryetar Ilir Metajn. Në asnjë nga aksionet politike kundër opozitës, palët nuk kanë qenë bashkë. Kjo ka sjellë komoditet për qeverinë duke mos ndikuar dhe diktuar te ajo edhe në raste kur ka patur skandale. Duhet thënë se në këto 12 muaj, Shqipëria nuk ka patur opozitë më të dobët si asnjëherë.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës, edhe baza e Partisë Demokratike vijon të jetë e përçarë. Premtimet dhe dëshirat se ky bashkim do vinte dalëngadalë në degët dhe grupseksionet dhe hap pas hapi nuk ndodhi. Pothuajse çdo ditë ne kemi mbledhje, takime informale por edhe kafe në baret e lagjeve, herë nga “Foltorja”, e herë nga PD-ja zyrtare. Por asnjëherë nuk kemi parë një PD të bashkuar të shoqëruar me optimizëm. Në bazën e partisë kjo përçarje ndihet edhe më shumë dhe bashkimi madh i premtuar në fakt është shndërruar në copëzimin dhe ndarjen e madhe.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës, Partia Demokratike është gjithnjë e më larg partneretetit dhe mikut të madh të Shqipërisë SHBA. Ndërsa kemi një mbështetje të hapur të SHBA ndaj PD-së zyrtare të Enkelejd Alibeajt, SHBA ka një distancim të qartë dhe të dukshëm ndaj PD-së së “Foltores”. Nuk ka asnjë takim dhe nuk ka asnjë kontakt të kësaj pjesë të PD me diplomatët amerikanë edhe pse disa syresh aty sforcohen të bëjnë ndonjë foto në takime të parëndësishme me zyrtarët amerikanë. Në të njëjtën kohë Sali Berisha nuk i ka ndërprerë për asnjë çast sulmet ndaj ambasadores Yuri Kim. Në këto 12 muaj ai ka vijuar ta cilësojë atë si guvernatore dhe të blerë nga qeveria duke mos ndryshuar asgjë nga sulmet personale ndaj saj. Kjo ka sjellë që kjo pjesë e PD të jetë e braktisur nga ndërkombëtarët si kurrë më parë. Vendimi tjetër i Britanisë së Madhe për shpalljen non grata ndaj Sali Berishës në korrik të këtij viti ishte një goditje edhe më e madhe ndaj tij por sidomos ndaj PD.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës, Partia Demokratike vijon të ketë një marrëdhënie aspak normale me median. Të dy PD-të janë ndarë në pjesë të preferuar dhe në pjesë jo të preferuara në raportin me gazetat, televizionet, portalet dhe me gazetarë të veçantë. Kjo u duk më qartë në rastin e prishjes së dy pishinave në hotel “Prestige” në të cilin PD-ja zyrtare bëri gjithçka në mbrojtje të tyre, ndërsa PD-ja e Berishës u mjaftua me disa deklarata të përcipta duke mos mbështetur me të njëjtin zell si PD-ja e drejtuar nga Alibeaj. Qendrime të ndryshme brenda PD-së janë vërejtur edhe me të ftuar në emisione politike, ku në disa prej tyre disa përfaqësues të PD-së zyrtare janë të preferuar dhe disa të “Foltores” janë jo të preferuar për shkak të raporteve që ata kanë krijaur.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike, zgjedhjet lokale që priten në vitin 2023 janë pothuajse të sigurta që do humben. Një PD e përçarë është zogu në dorën e PS-së e cila qëveris në vitin e 10-të saj pa ndonjë sforcim dhe që aktualisht drejton 59 bashki. Sado të humbasë disa bashki PS në zgjedhjet lokale të pranverës, duket qartë që pjesa e luanit as do preket. PD zyrtare dhe ajo e “Foltore” janë në një situatë aq të vështirë saqë nuk i afrohen dot as zgjedhjes së një kandidati në Tiranë dhe jo të arrijnë të mundin Erion Veliajn ndaj të cilit prej kohësh kanë harxhuar të gjitha bateritë e sulmeve. Vërtetë procesi i primareve nga “Foltorja” është një risi. Por a është kjo e mjaftueshme? Në situatën që ndodhet PD, zgjedhjet lokale nuk duken që të kthehen në trampolinë për të ardhur në pushtet.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës, Partia Demokratike është më afër se kurrë ndarjes zyrtare në dy parti. Askush në këtë parti nuk të jep përgjigje se si do regjistrohet kjo parti në zgjedhjet lokale të vitit 2023. Por ndërsa PD zyrtare do ruajë siglën dhe vulën, PD-ja e “Foltores” është në dilemë të madhe edhe për marifetin e koaliconit më Partinë e Lirisë. Në rast të ndryshimit të emrit duke u fshehur brenda këtij koalicioni, kjo parti realisht do e humbasë identitetin e saj dhe për më tepër një nga premtimet e Foltores ka qënë se sigla nuk do ndryshojnë.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike ka vetëm një të mirë. Shumica e deputetëve në PD-në zyrtare nuk pranojnë të kthehet kryetar Lulzim Basha. Në këto 12 muaj ky ka qenë një nga vendiment më të drejta që kjo pjesë e PD ka ndërmarrë. Në këtë një vit është vënë re se Enkelejd Alibeaj ka ngjitur shumë më shumë si kryetar se sa Lulzim Basha që në 9 vjet jo vetëm nuk arriti qëllimin madhi të kthimit në pushtet të PD por e dëmtoi aq shumë këtë parti saqë pasojat janë katastrofike. Një PD zyrtare ose jo pa Lulzim Bashën ka qenë pjesa më pozitive e këtij një viti për këtë parti. Ata që sforcohen ta quajnë Bashën “liderin që u mungon”, apo “lideri që po i jep të drejtë koha”, mbeten thjesht disa dritëshkurtër që stili i tyre servil nuk mund ti nxjerrë më shumë se sa të shihen në pasqyrë dhe të vetëkënaqen se i ngjajnë edhe në pamje shefit të tyre. Rikthimi në krye të PD-së i figurës së diskretituar të Lulzim Bashës do ishte varrosja përfundimtare e kësdaj partie dhe ata që nuk e kuptojnë u ngjajnë nostalgjikëve të komunizmit në vitin 1991 që qanin ende për Enverin ndaj të cilit sipas tyre po hidhej baltë.
Një vit pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike, është vërtetuar se gabimi i madh i Sali Berishës për mbështetjen për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD nuk ka kaluar lehtë. Ai vendim dhe ajo mbështetje për 8 vjet është shoqëruar me një situatë aq të rëndë në këtë parti saqë pasojat janë shumë të vështira për ti riparuar. I pari që po e vuan këtë është vetë Sali Berisha dhe në radhë të dytë edhe PD. Për fat të keq modeli i përzgjedhjes dhe mbështetjes ndaj Lulzim Bashës ka sjellë në këtë parti stilin te disa politikanë dhe deputetë brenda PD nuk janë aty falë aftësive të tyre por falë mbështetjes që kanë nga kryetari. Ky model i çimentuar për vite, është i vështirë të shqitet dhe herë pas herë në PD-në e “Foltore” ka gara se kush i pëlqen më shumë Berishës se sa elektoratitit. Kjo vijon të ketë pasoja të pariparueshme për këtë forcë politike.