Koordinatori Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm Agron Sojati përgjatë një interviste për “News 24” theksoi se 73 shqiptarë ndodhen në zonat e konfliktit në Irak dhe Siri. Ai pohoi se burrat, gratë dhe fëmijët janë identifikuar me emra, dhe se dihet edhe vendndodhja e tyre. Sojati është shprehur se komunikimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë me autoritetet respektive të kampeve është i pamundur. Kësisoj, transporti dhe sigurimi i tyre do të bëhet nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne besojmë se presim rreth 73 veta, ku 23 janë burra, 20 gra dhe rreth 30 fëmijë. Kuptohet që bëhet fjalë për shifra referuese, nuk bëhet fjalë për një inventar fizik të qenieve njerëzore që janë atje pasi distanca dhe mundësitë juridike për të bërë këtë lloj inventari e kemi të pamundur, por këto të dhëna kemi. U ngel atyre për ta thelluar më tepër apo për të dhënë informacion qoftë në territor, qoftë tek autoritetet në Siri dhe Irak. Ne e kemi të pamundur të kemi një raport të drejtpërdrejte me forcat që kontrollojnë kampin. Besojmë që me aq kontakte sa kemi ka një ide të qartë mbi numrin e personave, emrin e personave, vendin ku ndodhen dhe në çfarë situate janë”, tha Sojati.