Ndonëse më herët, teksa shqiptarët informoheshin nga vendi fqinj Italia për koronavirusin dhe ishte ideja se prekte të moshuarit, ky informacion është i gabuar.
Mjeku infeksionist që drejton një nga pavionët e spitalit COVID-19 në Tiranë, Arjan Harxhi, ka qenë i ftuar në emisionin “Real Story” në News24, ku ka folur për rastin e 43-vjeçarit nga Kavaja që humbi jetën. Ai tha se përveç faktit që ishte pak mbipeshë, nuk kishte probleme të tjera shëndetësore. Mjeku shtoi se 43-vjeçari humbi jetën në reanimacion.
“I ndjeri humbi jetën në reanimacion. Dy ditë ka qenë në pavion, pastaj kur filloi të shfaqte shenjat e rëndesës pacienti u transferua në kujdes intensiv për një terapi më intensive. Por për fat të keq nuk i rezistoi këtij vrulli të madh të kësaj sëmundje që i mori jetën. Nuk kishte që ato tradicionalisht që i kemi përmendur, por ishte pak mbipeshë. Ishte i shëndetshëm”.
Ai zbuloi se koronavirusi në individë të caktuar ka një ecuri të rëndë, për arsye të ndryshme.
“Ndodh ajo që ka ndodhur me mijëra raste të tjera, që kjo sëmundje në individë të caktuar ka një ecuri të rëndë, fulminante, severe për arsye të ndryshme, qoftë me formën e sëmundjes. Me reagimin e organizimit, me gjendjen e tij imunitare që çon në këtë lloj cedimi, në këtë lloj situate të rëndë. E kemi parë dhe në literaturë në raste të tjera. Mesazhi i fundit të OBSH është që kjo sëmundje nuk kursen jo veç për përhapjen e infeksionit, por dhe nga rëndesa, as moshat e reja. Duhet të jenë më të kujdesshëm”, deklaroi Harxhi.