Duket e pabesueshme, por pas 91 orësh kërkimesh është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat një vajzë 4-vjeçare. Ayla, sipas medieve turke është nxjerrë në zonën e Izmirit nën rrënojat e një apartamenti. Ajo ndodhej në kuzhinë përpara një lavatriçeje, e mbuluar me dhe.
Ndonëse po bëheshin gati 4 ditë nën rrënoja, vogëlushja Ayla Gezgin ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köger, njoftoi këtë lajm në llogarinë e tij në rrjetet sociale. “Ayla Gezgin u shpëtua e gjallë”, shkruan ai.
102 persona kanë humbur jetën nga tërmeti tragjik që goditi Izmirin të premten, ndërsa 1026 të tjerë janë plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në 5 nga 17 ndërtesat e shkatërruara.