Pas testimit të shumë rasteve në botë, ekspertët së fundmi janë të mendimit se koronavirusi nuk bën asnjë lloj diferencimi nëse je i ri apo i moshuar. Më herët, hipotezat ishin se nëse kishe disa sëmindje shoqëruese, mund ta kishe të vështirë për ta përballuar virusin vdekjeprurës.
Por rastet e fundit kanë dëshmuar se situata është krejt tjetër, ku edhe grupmoshat më të reja janë të riskuara nga COVID-19. Mjekët në Itali janë shtangur, pasi ka humbur jetën një 34-vjeçar i cili nuk vuante nga asnjë sëmundje.
Emanuele Renzi ka humbur jetën prej koronavirusit në Itali. Sipas autopsisë së kryer, ai nuk kishte asnjë sëmundje tjetër. Ai mund ta ketë marrë virusin në një festë beqarie në Barcelonë, ku ishte për një periudhë tre ditore, 6-8 mars. Ky rast tregon se si COVID-19, në formën më agresive, nuk bën shumë dallime midis të rinjve dhe të moshuarve.
34-vjeçari qëndroi në shtëpi për gjashtë ditë me ethe dhe më pas u transportua në spital. Mjekimi për të ishte standard, antiviralë dhe ilaç për artritin. Virologu Stefano Andreoni shprehet i habitur me këtë rast. Sipas tij, kjo vdekje ishte e papritur.
“Tashmë ka raste në të cilat autopsia nuk nxjerr në pah praninë e sëmundjeve të mëparshme. Ne flasim pra për vdekjen e një të riu të shëndetshëm, i cili ndërroi jetë, pavarësisht faktit se i kishte të gjitha trajtimet në dispozicion.
Trajtimet ndihmojnë, por ata sigurisht që nuk janë të suksesshme dhe ky rast është prova. Hulumtimi duhet të na japë diçka më shumë”, ka thënë ai.
Pas përhapjes së epidemisë në Kinë, mjekët vunë re se në masë po ndërronin jetë pacientët e moshuar, e sidomos kur kishin sëmundje shoqëruese. Por teksa koronavirusi është shtrirë në të gjithë globin, asnjë ekspert nuk është në gjëndje të dijë se kush mund të shpëtojë.