Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në një deklaratë nga foltorja e Kuvendit tha se familjet në nevojë që për arsye të pikëzimit kanë dalë nga mbështetja e asistencës sociale nga viti i kaluar, do të ndihmohen nga qeveria në këtë kohë krize. Ahmetaj shtoi se paketa mbështetëse financiare do të ketë një shtesë, nga të cilët do të përfitojnë afro 22 mijë familje në nevojë.
“Gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet shtyrë, mendon shumica e mazhorancës. Është një grup që e shfrytëzon kohën për replikë boshe politike, dhe një grup qoftë Roshi, qoftë Halili, qoftë Enveri. Jo vetëm që diskutojnë për çështje serioze çfarë po ndodh me jetën e qytetarëve apo çfarë po ndodh me biznesin e madh. A duhet shtyrë gjendja e fatkeqësisë natyrore? Të diskutosh janë 30 apo 60 ditë se po e përdor mazhoranca…Jemi duke folur për jetë njerëzish. Një jetë njeriu është e shtrenjtë, dhe janë 27 qytetarë që kanë humbur jetën dhe janë 27 familje që kanë humbur njerëzit e dashur.
Por po të bëni një krahasim, në një debat njerëzor me njëri-tjetrin në funksion të mbrojtjes së qytetarëve, nëse do merrnim numrat e Serbisë dhe Maqedonisë dhe do ecnnim me logjikën e Serbisë, Shqipëria do të kishte 100 fatalitete. Po të kishim trajektoren e Italisë, Zot na ruaj. Nëse do ishte ajo situatë, ju do thonit fajin e ka qeveria. Është përgjigjja e qeverisë dhe e juaja nëse doni për të frenuar përhapjen e virusit. Dhe diskutimi duhet të jetë në funksion të jetës së qytetarëve, dhe me dritë në fund të tunelit. Të drejtat e njeriut janë themelore, dhe më themelorja është e drejta e jetës”.