Partia e Kryeministrit kanadez Justin Trudeau doli fituese e zgjedhjeve të së hënën, por mazhoranca e tij u reduktua me 21 vende krahasuar me mandatin pararendës. Liberalët e partisë së Justin Trudeau fituan vetëm 157 vende ose 13 më pak se pragu i nevojshëm prej 170 vendesh për të qeverisur të vetëm. Zotit Trudeau do t’i duhet të formojë një koalicion qeverisës me Demokratët e Rinj Progresistë, të cilët fituan 24 vende në parlament.
Në një fjalim përpara mbështetësve të tij ndërsa shpalli fitoren Trudeau tha se me votën e tyre kanadezët refuzuan ndarjen dhe të keqen. Trudeau nuk e përmendi humbjen e shumicës, por u tha mbështetësve të tij se progresistët fituan “një mandat të qartë” për të zbatuar agjendën e tyre dhe për më shumë veprime për të luftuar ngrohjen globale.
Zgjedhjet ishin një zhgënjim për Andrew Scheer, udhëheqësin e Konservatorëve në opozitë, i cili u përpoq për të fituar shumicën. Edhe pse Konservatorët fituan votën popullore, ata arritën të marrin 121 vende. Zoti Scheer tha se ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë, por rezultati duket se do të rihapë diskutimet mbi të ardhmen e tij. /VOA