Nga Anxhela Ferra
Prej ditësh Tirana ka ndezur dritat, pema e lartë është vendosur të mes të sheshit, rrethuar nga kioska të ndryshme. Duke e kthyer kështu sheshin “Skënderbej” në pikën më të vizituar të kryeqytetit këtë fillim dhjetori.
Por, në mes të këtij shkëlqimi dritash, larmishmërie notash, gumëzhimës së njerëzve, ndodhen ata. Janë ata që gjithmonë gëzojnë kur ka festa, jo sepse do të festojnë si të tjerët, por shpresojnë të marrin disa të holla më shumë nga gjithë njerëzit që kalojnë.
E kanë të vështirë të flasin për mikrofonin, por nën zë thonë se i vjen turp.
Dikush është me tullumbace në duar me shpresën se një fëmijë do të kërkojë të blejë. Të tjerë me aparatë fotografik në qafë, “luftojnë” me telefonat dhe urojnë që dikush do të kërkojë një foto prej tyre.
Por, nëse drejtohesh më në “periferi” të sheshit, sheh edhe më nevojtarë. Janë ata të cilët bukën e ditës e varin te zemërgjerësia që tregojnë shqiptarët.
“Për festat është më mirë për ne që dalim e punojmë. Sepse njerëzit e kanë pushim, dalin për kafe apo xhiro dhe argëtohen me muzikë. Kurse në ditët e zakonshme është pak dobët. Unë në ditë mund të marr nga 7 e deri në 2 mijë lekë. Kaq! Disa japin lekë, disa hiqen mënjanë, flasin keq. Por, ne e ndjejmë atë përçmimin,“-rrëfen për Tirana Today një nga më të vjetrit që del në shesh.
Shumëkush teksa kalon nuk i vë re, por ata janë aty në mes të sheshit, çdo ditë. Për t’iu zbukuruar më shumë këto festa, qoftë me tullumbace, foto apo muzikë./ TIRANA TODAY