Zbardhet dëshmia e Denar Bibës dhënë në prokurorinë e Tiranës, lidhur me çështjen e publikimit të një audio-përgjimi mes Binës dhe gjyqtarit të Strasburgut Ledio Bianku. Gjatë marjes në pyetje, Biba, pranon se ka takuar Biankun në ambjentet e Bar-Restorantit të gjykatës së Strasburgut, dhe pikërisht në këtë vend gjatë bashkëbisedimit me të, i ka kërkuar Biankut, që ta ndihmonte nëse mundej, me çfarë mundësi të kishte, për të shtyrë afatin e ekzekutimit financiar të një vendimi të gjykatës nga Shteti Shqiptar. Por sipas Bibës, një gjë e tillë është kërkuar në kuadër të miqësisë që ata kanë pasur. Sipas Bibës, ai nuk ka ushtruar asnjë ndikim të paligjshëm apo shantazh, pasi kërkesën që ia kishte paraqitur gojarisht Ledio Binakut në kafe, të nesërmen ja kishin dorëzuar bashkë me Niko Peleshin, me letër kryetarit të gjykatës së Straburgut. Ndërkohë në kuadër të hetimit të dosjes me nr.7581 është kërkuar pyetja e Ledi Biankut,por prokuroria ka konstatuar se ai ka hyrë për herë të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë më 9 gusht 2018 dhe ka dalë nga territori 25 gusht 2018. Ndodhur në këto kushte, është pamundësuar pyetja e tij nga organi procedues.
Rrëfimi i Denar Bibës
Gjatë hetimeve të kësaj çështje që përfundoi e pushuar, është marë deklarimi i shtetasit Denar Biba, i cili ka deklaruar shprehimisht se:“…diku nga periudha Maj ose Qershor 2014, më është kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, që të jem pjesë e grupit të punës që do të asistonte Zv/Kryeministrin Niko Peleshi në vizitën dhe takimin që ai do të bënte me autoritete të larta drejtuese të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg (GJEDNJ). Unë në atë kohë isha Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), një agjenci qeveritare, në varësi të Këshillit të Ministrave, por në ndihmë të Niko Peleshi u thirra në cilësinë time si ekspert i të drejtës kushtetuese. Me vendimin “Manushaqe Puto dhe të tjerë vs. Shqipërisë”, GJEDNJ kishte dënuar shtetin shqiptar të dëmshpërblente ankuesit në një vlerë disa milion euro dhe e kishte konsideruar këtë një vendim “pilot”. Gjykata do të shtyjë procedimet në lidhje me të gjitha kërkesat e reja të depozituara pranë saj pas dhënies së këtij vendimi në të cilin ankuesit ngrenë ankime të diskutueshme që lidhen vetëm me moszbatimet e zgjatura të vendimeve të formës së prerë për pronësinë për ekzekutimin e të cilave shteti është përgjegjës, duke përfshirë kërkesat në të cilat janë ngritur edhe ankimet që pretendojnë mungesë të mjeteve ligjore efektive në lidhje me këtë moszbatim.
Shteti rrezikonte penalitet mln euro
Kjo shtyrje ishte dhënë në 31 korrik 2012, me kërkesë të qeverisë Berisha dhe përfundonte në muajt e parë të vitit 2014. Me sa mësova, qeveria e re Rama, kalkulonte se, nëse gjykimet rifillonin, atëherë shteti shqiptar rrezikonte një penalitet në vlera disa dhjetra miliona Euro, gjë që do të rrezikonte falimentimin financiar të shtetit, me pasoja shumë të rënda për shtetasit shqiptar. Pikërisht, me këtë shqetësim, Peleshi, në emër të qeverisë shqiptare, shkonte në Strasburg për të kërkuar zyrtarisht shtyrjen me disa muaj të tjerë të procedurave të sipërpërmendura. Kur kemi mbërritur në Strasburg, i kam shkruajtur sms dhe i kam telefonuar mikun tim Ledi Bianku, i cili ishte me detyrë gjyqtar pranë GJEDNJ dhe i kam kërkuar të takohemi.
Takimi me Biankun ishte për ç’mallje
Arsyeja e këtij takimi ishte sa njerëzore (ç’mallja me një mik të vjetër të cilin kisha disa muaj që nuk e kisha takuar që nga hera e fundit kur kisha qenë në Strasburg, e ai më kishte ftuar në shtëpinë e tij për darkë), ashtu edhe për të diskutuar rreth qëllimit të vizitës së delegacionit zyrtar të qeverisë shqiptare. Ia bëra me dije edhe këtë të fundit gjatë bisedës sonë telefonike. Bianku nuk mundej të më takonte atë pasdite pasi ishte vonë, por lamë të pinim kafe në bar-restorantin e GJEDNJ të nesërmen në mëngjes. Të nesërmen jemi takuar siç e kishim lënë. U ulëm në një tavolinë në ambjentet e jashtme të bar-restorantit, në tavolinën që sugjeroi Bianku. Biseda ka qenë e gjatë, mbi 40 minuta, duke qenë se kishim kohë pa u parë dhe kishim ç’të flisnim. Ka kaluar kohë e gjatë, por kujtoj që kemi folur për familjet tona, për miqtë e përbashkët. Folëm për qëllimin e vizitës dhe i kërkova ndër të tjera të më jepte ide sesi mund të ishim sa më bindës në kërkesën tonë, duke qenë se ishte dhënë tashmë një shtyrje prej 18 muajsh. E pyeta nëse kishte pasur raste të tjera me shtete të tjera kur ishin vendosur “moratoriume” të ngjashme.
Biba: I kërkova të na gjendej me se të mundej
Unë isha në dijeni të pamundësisë së tij formale për të ndikuar në këtë çështje, pasi tashmë bëhej fjalë për një vendim të marrë prej muajsh, por duke qenë se tashmë vendimimarrja ishte politike e jo juridike, i kërkova që të na gjendej me se të mundej për të siguruar shtyrjen, duke qenë se në ato momente shteti shqiptar thjesht nuk i kishte mundësitë të paguante shuma aq të mëdha. Gjithçka në planin njerëzor, pasi isha i qartë që Bianku nuk kishte asgjë në dorë e madje, Kryetari i GJEDNJ edhe mund të mos i kërkonte fare mendim për kërkesën e qeverisë shqiptare. Nuk kujtoj me hollësi çdo fjalë, por kujtoj që Bianku nuk ndau të njëjtin qëndrim si unë dhe se më tha që ai s’mund të bënte më asgjë e që s’mund të jepej një shtyrje tjetër pas të parës. Gjithçka në tone fare normale, si një bisedë mes dy shokësh, që edhe kur kanë opinione të ndryshme për një çështje, e diskutojnë atë normalisht, pa më lenë të kuptoja për ndonjë “anomali” të bisedës sonë.
Takimi me miqtë për t’u këshilluar
Pas kësaj kaluam në tema të tjera, ndër to edhe se përse unë kisha pranuar të merrja detyrën e Kryetarit të KPP, kur në fakt dëshiroja Gjykatën Kushtetuese e në pamundësi Avokaturën e Shtetit. I sqarova se, me porosi të Kryeministrit Rama, më thirri, Agaçi dhe më propozoi kreun e KPP. Fillimisht nuk pranova. Pasi dola nga takimi me atë, fola me disa miq të mitë të cilëve ua respektoj dhe kërkoj këshillën. Njëri prej tyre ndër të tjera më tha se: “…me tipa si Edi Rama, ky tren vetëm njëherë të qëndron në stacion…” dhe se “…ke bërë sakrifica, do ngelesh pa punë…” duke përmendur faktin që isha dorëhequr nga detyra e Zv/Kryetarit të KQZ disa muaj më parë dhe kisha mbi 6 muaj pa punë. Si rrjedhim pranova, ndonëse nuk më pëlqente si punë. Pasi folëm edhe për pak, u ndamë duke u përqafuar dhe me të fala për familjarët tanë. Bianku në asnjë rrethanë nuk më la të kuptoja, e aq më pak e shprehu hapur, se biseda jonë nuk i kishte pëlqyer në ndonjë aspekt.
Pas Biankut takova sërisht Peleshin
Në vijim kam takuar Niko Peleshi dhe i kam bërë me dije se, sipas Bianku, në vështirë se mund të merrnim një shtyrje tjetër. Si kundër edhe ndodhi realisht. Në të vërtetë kjo shtyrje u sigurua dy vjet më pas, në vitin 2016, kur Ministrat Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani shkuan sërish në Strasburg dhe takuan Kryetarin e Gjykatës, por edhe Ledi Bianku. Katër vite më pas, një portal publikoi një regjistrim audio, ku dëgjohem pothuajse vetëm unë, duke i folur dikujt që supozohet të jetë Ledi Bianku. Them supozohet, pasi ai pothuajse nuk flet. Audio është krejtësisht e manipuluar, janë hequr copëza të tëra të bisedës, është hequr krejtësisht çdo gjë që ka thënë Bianku. Janë lënë vetëm disa fjali të miat, të shkëputura krejtësisht nga konteksti e të vendosura mekanikisht në një kontekst që nga portali në fjalë të mund të interpretohen si “shantazh” i imi ndaj gjyqtarit Bianku, për diçka që nuk dihet e që nuk kuptohet përse ka ndodhur apo kohën kur ka ndodhur. Është një bisedë jashtë çdo lloj kordinate logjike apo kohore. Kur jam pyetur nga gazetarët, unë e kam pranuar pa asnjë më dyshje se po, ka pasur një bisedë mes meje dhe mikut tim Ledi Bianku, 4 vite më parë në bar-restorantin e GJEDNJ dhe riprodhova bisedën, për aq sa mundesha ta bëja këtë, tashmë që ka kaluar kaq shumë kohë. Sepse praktikisht është një e vërtetë e cila, jo vetëm nuk më shqetëson, por më bën të ndihem mirë për atë që kam bërë e do t’a bëj sa herë të jetë nevoja. Në bindjen time filozofike, ka raste kur interesat madhorë të shumicës dërmuese të individëve iu mbivendosen atyre të pak individëve, mjaft që kjo të jetë një periudhë e shkurtër e që pas kësaj interesat edhe të pakicave të respektohen.
Të njëjtën kërkesë i bëra Biankut, ja bëmë dhe kryetarit
Si kundër e kupton çdo njeri me një minimum arsyeje, unë në atë takim isha për qëllime të larta shtetërore, në interes absolut të publikut të gjerë shqiptar dhe dhe jo për qëllime që mund të identifikohen si “të parregullta”. Praktikisht kërkesën që Zv/Kryeministri Peleshi ia parashtroi Kryetarit të GJEDNJ, unë ia bëra Biankut që, nëse do të mundej, edhe ai të ndihmonte për tejkalimin e një situate që vetëm sa do t’a përkeqësonte situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, pasi rrezikohej që të mos paguheshin pagat e administratës publike dhe pensionet. Nëse do të disponohej audio regjistrimi origjinal, nga aparati origjinal që e ka bërë këtë regjistrim, do të kuptohej qartë se në bisedën tonë, nga ana ime nuk ka pasur asnjë ndikim të paligjshëm, se për shantazh as që mund të imagjinohet.
Premtimet për vend pune janë qesharake
“Premtimet” e shpikura sikur unë po i ofroja ndonjë vend pune Biankut janë qesharake, sikur vetëm për faktin e thjeshtë që ai dhe familja e tij nuk do të kthehen më në Shqipëri, dhe këtë ai mua ma kishte thënë mëse njëherë. Sidoqoftë unë nuk mund t’ia lejoja kurrë vetës t’i imponohesha mikut tim, qoftë kjo edhe për diçka absolutisht të ligjshme e të moralshme siç ishte shtyrja me disa muaj të tjerë të një procedure që ishte shtyrë edhe herë tjetër, e askujt nuk i ishte dukur “e papërshtatshme” si qasje. Vlerësoj se e gjitha kjo, ishte një flluskë dhe fiasko e madhe e një pjese të politikës shqiptare, e përdorur për konjuktura banale të brendshme./shqiptarja.com