Blutë e Shkodrës kanë parandaluar përshkallëzimin e një konflikti të çastit, ku njëri prej shtetasve ka qëlluar në ajër me pistoletë. Nga ana e policisë janë arrestuar në flagrancë dy shtetasit e përfshirë në konflikt, si dhe dy shokët e tyre për “Moskallëzim krimi”.
Nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. D, 33-vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”
K.Sh, 26-vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, për veprën penale “Moskallëzim krimi”
A.B, 27-vjeç, banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
E.B, 38-vjeç, banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzim krimi”
Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, në një lokal, shtetasi E. D, është konfliktuar me shtetasin E. B. Shtetasi E.D, në largim e sipër ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, pistoletë.
Me marrjen e njoftimit, policia ka reaguar në kohë, duke kapur dhe arrestuar dy shtetasit e përfshirë në konflikt, si dhe dy shtetas të tjerë për moskallëzim krimi, (shokë të tyre).
Policia po vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur nga shtetasi E. D.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.