Dalin të tjera detaje në lidhje me vrasjen e ndodhur në Kavajë, ku polici Bledar Toçi vrau në banesën e Marsida Qatjas, shtetasin Dritan Haxhollin.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Klodiana Lala, shprehet se ngjarja nuk po hetohet më si një krim pasioni por për trafik droge.
“Në momentet e para u dyshua shumë për një krim pasioni. Tashmë nuk diskutohet më për një krim pasioni, prokuroria po thellon hetimin për trafikun e drogës. Marsida Qatja është aktualisht nën hetim për një vepër tjetër penale, për mashtrim. Kjo ngjarje ka shumë pikëpyetje, nuk kemi një krim të kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Dritan Haxholli nuk ka vajtur në banesë pa një thirrje, duket sikur është thirrur, ka rënë në një kurth. Në momentin që Dritan Haxholli ka shkuar në banesë, ka pasur informacion edhe është sinjalizuar policia. Ai ishte një person në kërkim, policisë i është thënë që një person i armatosur është duke lëvizur në lagjen numër dy të qytetit të Kavajës, policia ka reaguar pas ngjarjes së rëndë”, deklaroi gazetarja.
Dy plumba i morën jetën Dritan Haxhollit. Në vendngjarje grupi hetimor mblodhi 1 gëzhojë kallashnikovi dhe 17 gëzhoja të pistoletës së Toçit. Ky i fundit u ka thënë hetuesve se reagoi për vetëmbrojtje.