Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, mbërriti pasditen e sotme në Tiranë ku u prit në një ceremoni shtetërore nga homologu i saj shqiptar, Ilir Meta.
Para nisjes së takimit në Presidencë, Osmani i dorëzoi Metës një dhuratë nga gratë, viktima të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Shqipëri ajo do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe ish kryeministrin Sali Berisha.
Axhenda e takimeve të Osmanit:
Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d Presidentja do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.
Kurse, në orën 15:30, u.d Presidentja, do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).
Ndërsa në orën 10:15, u.d. Presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në orën 16:00, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.
Kurse, në orën 11:45, u.d Presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.