Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë në Paskuqan. Erdet Çapoku kishte patur prej kohësh konflikte me kunatën e tij, Enkeleda Çapoku. Sipas ‘News 24’, viktima e kishte denoncuar muaj më parë autorin në komisariatin e Kamzës, pasi e përndiqte dhe e filmonte ngado që shkonte bashkë me vajzën e saj 18-vjeçare.
Për këtë arsye, ajo kishte marrë urdhër mbrojtje prej autorit. Deri dy vite më parë, viktima dhe autori i krimit jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira, afër njëri-tjetrit. Gruaja jetonte me vajzën e saj 18-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.
Kunati e përndiqte
Kunati e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën. Ai i bënte fotografi në çdo moment të ndjerës. Më pas, fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes.
Mbrëmë Erdet Çapoku është futur në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.
Autori i krimit ka dhunuar më parë të trija gratë e familjes, dhe më pas ka vrarë kunatën.