Kreu i Partisë Demokratike i ka cilësuar deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu si “thikë pas shpine” ndaj Reformës në Drejtësi.
Këtë deklaratë Basha e bëri sot në selinë blu teksa zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët, lidhur me ngërçin e krijuar për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Sërish, Basha ka kërkuar që Adriatik Llalla të mbajë postin e kryeprokurorit, ndryshe nga Rama i cili kërkon të zgjidhet një Prokuror i Përkohshëm i Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Llallës.
Ngërçi PS-PD
Pas përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla më 7 dhjetor, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla njoftoi zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të përkohshëm.
Për sa kohë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni që do propozojë Kryeprokurorin, nuk është konstituuar, Balla tha se ligji për Prokurorinë ka parashikuar zgjedhjen e një Prokurori të përkohshëm nga radhët e Prokurorisë me 15 vite eksperiencë pune dhe gradë shkencore.
Por, Basha është kundër këtij vendimi, teksa këmbëngul se Adriatik Llalla duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kështu, në një deklaratë shpërndarë medieve, Partia Demokratike thekson se kërkon:
-Të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.
-Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.
-Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.
Pavarësisht qëndrimit të PD-së, Komisioni i Ligjeve ka nisur procedurat për zëvendësimin e Llallës, teksa është mbledhur para pak ditësh për të shqyrtuar memon e hartuar nga Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për këtë çështje.
Por si e sheh ky organ brenda Kuvendit zgjedhjen e pasuesit të Llallës?
EURALIUS dhe OPDAT, e lexon këtë situatë njëlloj si Partia Socialiste dhe mbështet zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm me shumicë të thjeshtë, pra 71 vota.
Drejtoria për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, me kërkesë të Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka përgatitur një raport për situatën, të cilin ja ka dërguar edhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Por, ndryshe nga PS dhe EURALIUS, Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, thotë se prokuroi i ri i përgjithshëm duhet të zgjidhet me shumicën e cilësuar prej 3/5, ose 84 vota, vota të cilat PS nuk i ka pa opozitën.
Kjo drejtori i Kuvendit, teksa parashtron argumentet juridike, thotë se në zbatim të ligjit organik për prokurorinë duhet të zbatohet neni trazitor dhe të zgjidhjet një kryeprokuror i përkohshëm, por shumica e nevojshme për votim duhet të jetë sipas Kushtetutës për kryeprokurorin, pra me 84 vota.
Edhe pse kjo memo e kësaj drejtorie brenda Kuvendit nuk është detyruese, por këshilluese për ata që e kërkojnë, ajo e bën më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje të pa kontestuar për pasuesin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Kryeministri Rama, ftesë publike Bashës për bashkëpunim
Kryeministri e ka ftuar publikisht disa herë kreun e PD-së, Lulzim Bashën që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përhershëm.
Madje, Rama e ka quajtur një bashkëpunim të mundshëm të tyre si një “Pakt Kombëtar për Evropën që duam”.
“Çka unë i kërkoj opozitës është të konsiderojë pa humbur kohë ftesën që të ulemi në tryezë për çështjen aktuale të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të bëjmë një Pakt Kombëtar për Europën që duam. Të thjeshtë, të qartë dhe serioz. Me disa hapa të përbashkët drejt çeljes së negociatave (dhe pse jo edhe përtej nëse ka mundësi në rrugën e arsyes), si shprehje e vullnetit të mirë për ta vënë Shqipërinë mbi partitë dhe axhendën e përbashkët kombëtare mbi axhendat e përveçme të politikës së ditës”, shkruante Rama në një ndër ftesat që i bëri publikisht Bashës.
Por, ky i fundit e ka refuzuar çdo herë bashkëpunimin me të, duke mbajtur të njëjtin qëndrim.
Basha kundër ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe BE mbështesin Ramën
Mesa duket, çështja e zgjedhjes së prokurorit të ri të përgjithshëm, ka ‘izoluar’ Bashën, teksa ndërkombëtarët janë “rreshtuar” në anën e kryeministrit Rama.
Kështu, ambasadori amerikan Donald Lu reagoi teksa publikoi qëndrimin e tij me anë të një postimi, ku sqaronte:
“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”.
Menjëherë pas Lu-së, ka reaguar edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili mbështet të njëjtin qëndrim.
“Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e BE.
Por, teksa PD vazhdoi të refuzojë një bashkëpunim mes palëve, dje reagoi sërish ambasadori Lu, i cili u bëri thirrje palëve politike që të shmangin mosmarrëveshjet dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm të përgjithshëm, duke iu referuar më së shumti Bashës.
Sot, Basha u tregua pak më i ashpër, teksa gjatë bashkëbisedimit me gazetarët iu kërkua që të komentonte deklaratat e ambasadorit Lu.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se “t’i kërkosh Kuvendit të mos bëjë vettingun e kryeprokurorit, është thikë pas shpine për reformën në drejtësi”, duke iu referuar ambasadorit Lu:
“S’kam komentuar asnjëherë ambasadorët e huaj, por s’mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik t’i kërkojë Kuvendit të shkelë kushtetutën apo të kërkojë mos bëhet vettingu i kryeprokurorit. Kjo do të ishte një thikë në shpinë të reformës në drejtësi për të cilën kanë kontribuar të gjithë përfaqësuesit e trupit ndërkombëtar”.
Akuzat e Berishës ndaj ambasadorit Lu
Megjithatë, duket se akuzat e PD-së shkojnë edhe më larg sa i takon ambasadorit amerikan Donald Lu.
Ka qenë deputeti i PD-së Sali Berisha ai që ka bërë mbrëmë dy deklarata “bombë”, teksa tha se ambasadori Lu kërkon që të ikë Llalla sa më shpejt, sepse sipas tij, ky i fundit e ka akuzuar ambasadorin amerikan për korrupsion.
“Z. Lu ka dy probleme. Së pari do me çdo kusht që Adriatik Llalla të ikë shpejt, sepse Adriatik Llalla e ka akuzuar për korrupsion ambasadorin amerikan. Prokurori i shtetit ka thënë se ambasadori amerikan, ka ardhur për të kërkuar pushimin e çështjes për një korrupsion. Nuk ka ndodhur asnjëherë që prokurori i shtetit të akuzojë një ambasador. Donald Lu nuk e ka mohuar. Unë them se në këtë drejtim është në konflikt interesi.
Së dyti, Donald Lu ka kërkuar indirekt të propozojë emra konkrete për kryeprokurorin. Pra, kjo është shumë e rëndë nëse një ambasador emëron kryeprokurorin,” shtoi më tej Sali Berisha në një intervistë për Abc News.
Gjithashtu, Berisha tha se Ambasadori Donald Lu bashkë me ambasadoren Romana Vlahutin po shkelmojnë reformën në drejtësi me zgjedhjen e kryeprokurorit pa vetting.
“Opozita kërkon që të zgjidhet kryeprokurori, që të respektohet kushtetuta. Nuk ka asnjë ligj që mund të rrëzojë kushtetutën. Çfarë po kërkon opozita? Po thotë të vijë një njeri që ka kaluar. Ambasadori Donald Lu bashkë me ambasadoren tjetër (Romana Vlahutin) i ka thënë mbi 1500 herë shqiptarëve vettingu, vettingu, vettingu… dhe tani po e shkelmojnë me zgjedhjen e kryeprokurorit pa vetting. Këtë e konsideroj si aktin më të rëndë të 27 viteve,” u shpreh Berisha. TIRANA TODAY