Emisioni investigativ “BOOM” në Rtv Ora solli mbrëmjen e sotme shqetësimin e banorëve të lagjes “Sanxhak” në Laç, të cilët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Janë rreth 30 familje të kësaj lagjeje, të cilët thonë se prej kater vitesh nuk kanë pikë uji në çezmat e shtëpive.
Banorët në këtë zonë janë kryesisht të moshuar të cilët çdo ditë bëjnë 2 km rrugë në këmbë për të mbushur bidonat me ujë.
Kjo zone dikur ështe furnizuar me ujë rregullisht, ndërkohë që nuk dihen arsyet se pse këto vitet e fundit nuk furnizohet më. Banorët janë të detyruar ta blejnë ujin.
“Ne me lekët tona e kemi shtruar tubin e tani nuk kemi më ujë”.
“Një herë në 3 ditë blej 10 mijë lekë botin me ujë, nuk ia dal dot”.
“Gratë bëjnë 2 orë rrugë në këmbë për të mbushur bidonat me ujë për të pirë”.
Gazetarja e BOOM ishte te Ujësjellësi i qytetit të Laçit për të pyetur se përse banorët nuk furnizohen me ujë.
Shefi i Teknikës thotë se rezervuari i Laçit nuk mund ta furnizojë të gjithe zonën pasi aq ujë ka.
“Linja është e vjetër dhe nuk janë bërë investime, prandaj është ky problem. I kemi çuar projektet Qeverisë për të na financuar, por deri tani asgjë nuk është bërë. Ne lekë duam, sa më shumë abonentë të kemi aq më shume të ardhura do depozitohen”.
Njëri nga banorët kishte pretendimin ndërprerja e furnizimit me ujë është bërë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet.
Për këtë arsye, shefi i Teknikës së Ujësjellësit të Laçit ka marrë grupin e punës dhe ka dalë në terren për të verifikuar situatën, duke premtuar se do të ndërhyjë nëse konstaton shkelje. /Ora News