Identifikohet gruaja e cila u gjet e vrarë në ferra pranë liqenit të Sharrës. Viktima është 45-vjeçarja Lirie Xhepa, e cila është qëlluar 3 herë me armë zjarri. Gruaja është banore e zonës, ndërsa shtëpia e saj ndodhet jo shumë larg vendit ku ajo u gjet e vrarë.
Po ashtu, Xhepa ka shenja dhune në pjesën e prapme të kokës. Dyshohet se ajo është qëlluar me sende të forta fillimisht, e më pas është vrarë me armë zjarri. Trupi i viktimës u gjet mëngjesin e sotëm nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.
Sipas informacioneve paraprake, vrasja nuk ka ndodhur në vendin ku 45-vjeçarja u gjet e vrarë, por është transportuar nga autori pas vrasjes, duke e hedhur viktimën në ferra. Banorët thonë se kanë parë një makinë të largohet me shpejtësi, e më pas kanë gjetur trupin e viktimës pranë liqenit.
Viktima është e martuar, ndërsa nuk dihet nëse ka fëmijë. Vijojnë hetimet për gjetjen e autorit dhe shkaqeve të vrasjes.