Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra thekson se vendosja e ekranit gjigant në sheshin Skënderbej gjatë ritualit të faljes së Kurban Bajramit nuk ka pasur asnjë tendencë nga Komuniteti Mysliman.
Gurra vë në dukje se myslimanët kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e vendit përgjatë gjithë historisë së tij dhe nuk kanë asnjë kompleks ndaj figurave historike.
Intervista:
Z. Gurra, ka lindur një debat i gjerë publik mbi fshehjen e monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu përmes ekranit gjigant i vendosur gjatë së ritualit të faljes së Kurban Bajramit. A ka pasur një tendencë nga Komuniteti Mysliman për të fshehur figurën e Skënderbeut ndaj besimtarëve myslimanë?
Nuk ka pasur kurrsesi dhe nuk ka arsye për të pasur një tendencë për mbulimin e monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për t’i shërbyer kryerjes së ritualit të faljes së Kurban Bajramit në sheshin “Skënderbej”.
Ju jeni kërcënuar edhe me jetë për këtë rast. Si i cilësoni kërcënime të tilla dhe a përbëjnë ato një rrezik potencial për ju?
Mesa duket keqkuptimet, pse jo dhe manipulimet, si dhe abuzimi në marrjen e informacionit ka çuar në atë që janë disa dhjetëra mesazhe përmes rrjeteve virtuale në kërcënime deri me jetë për arsye të përbaltjes, sipas atyre, të figurës së Skënderbeut.
A mendoni se myslimanët e kanë kompleks figurën e Skënderbeut?
Myslimanët e këtij vendi nuk kanë asnjë kompleks, përkundrazi i kanë shërbyer me jetën e tyre, ashtu si jo myslimanët dhe me gjakun e tyre për të vendosur themelet e këtij kombi të lashtë dhe fisnik.
Intervistoi: Bardhi Quku