Kryeministri Edi Rama duket krejt i dorëzuar përballë trafikantëve të drogës, edhe pse ka detyrën parësore për t’i luftuar ata.
Kreu i qeverisë shqiptare shfaqet i pamundur përballë fenomenit të kanabisit teksa pyetet nga gazetari italian i televizionit TV7 në reportazhin e realizuar pak ditë më parë në Shqipëri.
Gazetari italian bën një rrugëtim bashkë me policinë përgjatë fushave të kanabisit duke e cilësuar vendin tonë si “Kolumbinë e Evropës”, shkruan Tirana Today.
Rama përpiqet të justifikohet se trafikantët janë shumë më të sofistikuar duke bërë edhe ironi se ata as nuk kanë një Komision Evropian që t’i monitorojë ashtu siç ky organizëm politik monitoron vetë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
“Ata janë shumë të organizuar. Ata nuk kanë burokraci, nuk kanë një Komision Evropian, që duhet të marrë vendime. Janë të shpejtë, të sofistikuar, kanë shumë pushtet mbi njerëzit e varfër, mbi njerëzit e margjinalizuar. Duhet ta luftojmë gjithë këtë së bashku”, shprehet Rama.
Kreu i qeverisë nuk mohon as mundësinë që kultivimi i drogës në Shqipëri të jetë e financuar nga grupet terroriste.
Kryeministri nuk ngurron as të flasë me detaje për mënyrën sesi operojnë trafikantët e drogës, aq sa të jep përshtypjen se është një prej tyre.
Një akuzë të tillë që opozita ia ka përsëritur shpesh që pas skandalit të dyshimeve mbi përfshirjen në trafikun e drogës midis Shqipërisë dhe Italisë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ky i fundit vijon të jetë nën hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa ka lëshuar shpesh disa mesazhe të koduara në drejtim të kryeministrit, duke lënë të kuptohet se edhe vetë shefi i qeverisë ka dorë në trafikun e drogës dhe se asgjë nuk është bërë pa miratimin e tij.
Reportazhi i plotë i përkthyer nga Tirana Today
Kacavirren nëpër shpate, kapërcejnë pyje dhe lumenj. Policët kërkojnë fushat me kanabis. Parajsa e trafikantëve të drogës, që nga këto male duket si Kolumbia, është në fakt Shqipëria. Vetëm 85 kilometra distancë detare nga Italia, në anën tjetër të Adriatikut, këtu zhvillohet një luftë deri në rrënjën e fundit. Policia i shkatërron, trafikantët i mbjellin sërish.
Edi Rama: Ata janë shumë të organizuar. Ata nuk kanë burokraci, nuk kanë një Komision Evropian, që duhet të marrë vendime. Janë të shpejtë, të sofistikuar, kanë shumë pushtet mbi njerëzit e varfër, mbi njerëzit e margjinalizuar. Duhet ta luftojmë gjithë këtë së bashku.
Bashkë në këtë luftë me forcat e policisë shqiptare, është edhe Italia.
Guardia Di Finanza monitoron nga ajri territorin, sinjalizon për parcelat me drogë. Në vitin 2017, u shkatërruan mbi 2 milionë rrënjë, një rekord.
Sipas disa hetimeve dhe ekspertëve, pas trafikut të drogës qëndrojnë edhe terroristët ndërkombëtarë. Është e vërtetë?
Edi Rama: Sipas meje edhe mund të jetë e vërtetë, pasi në fund të fundit këta lloj njerëzish nuk kanë atdhe. Pozicioni ynë gjeografik, është i tillë që e bën Shqipërinë një vend transiti.
Vend transiti, ku kryqëzohen shumë rrugë të trafikut të drogës, bazë logjistike e trafikantëve ndërkombëtar, vend ideal për të fshehur mallin.
Trafikantët përdorin edhe bunkerët e vjetër të epokës komuniste të Enver Hoxhës, si ky që po shohim në pamje, tashmë i boshatisur nga policia.
Nga këtu droga niset drejt Italisë, Evropës, kapërcen detin Adriatik në bordin e skafeve apo peshkarexhave, për të cilat s’ka dyshime. Desha të raportoj se e kontrolluan barkën…Zbarkon në brigjet e Puljas, kur nuk mbërrin më parë policia.
Droga e sekuestruar përfundon në këto magazinë në periferi të Tiranës.
Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm: Vetëm në këtë magazinë ka rreth 20 tonë drogë. Kjo është vetëm njëra nga 5 magazinat që gjenden në këtë zonë. Era është kaq e fortë sa të trullos. Dhjetëra tonë drogë të mbyllur në thasë plastikë, etiketat që i shoqërojnë tregojnë historinë kriminale të vendit, flasin për një mafia në zgjerim e sipër.
Për të çarë në tregun e tyre, kanë natyrisht nevojë për metoda të veçanta. Ndonjëherë janë grupe të vogla, që ribashkohen për një aktivitet më të madh, dhe në shumicën e rasteve janë edhe shumë të dhunshëm. Të dhunshëm, të organizuar, dhe me lidhje të forta në anën tjetër të Adriatikut.
Edi Rama: Le të themi që është “shkolla” e kryer në Itali. Janë njerëz që kur kanë qenë më të rinj kanë kaluar në Itali, në zonat e jugut, kanë përvojën e emigracionit ilegal, kanë qenë të lidhur me rrjetin e Kamorrës, Ndragetës, andej dhe këtej, dhe pastaj kanë ndarë punët. Një pjesë qëndron andej, pjesa tjetër këtej. Pala andej mundëson lidhjet me bosët e mëdhenj italianë, këta këtej bëjnë punën e pisët dhe çojnë mallin andej. Pra është më shumë një degë e “universitetit të ilegalitetit” të Italisë së Jugut.
Grupet kriminale shqiptare u ngjajnë atyre italiane, në veçanti Ndragetës, të besueshëm në punë, një strukturë familjare dhe për këtë arsye nuk ka të penduar, të aftë të përfshijnë edhe njerëzit e zakonshëm, si fshatarët e bindur të kultivojnë marijuanë.
Tani qeveria do t’i rikthejë në legalitet, duke i ndihmuar të rikonvertojnë prodhimin bujqësor.
Edi Rama: Kemi një fond, që financon këto lloj ndërhyrjesh.
Por Tirana duhet të nxitojë, dhe këtë e thonë ligjet e tregut. Prodhimi i pakët i kanabisit këtë vit, për shkak të sekuestrimeve të shumta, do të rrisë çmimin e marijuanës. Për këtë arsye, shpjegojnë hetuesit, trafikantët do të shtojnë presionin ndaj fshatarëve, për të mbjellë më shumë kanabis.
Edi Rama: Jemi në fazën e dytë të ndjekjes së trafikantëve, duke sekuestruar të gjitha pasuritë e tyre, në pasuri të patundshme apo llogari bankare. Pasi trafiku nuk kryhet vetëm nëpër male. Në qytet, ari i gjelbër i trafikantëve bëhet gri, çimento.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce