Lewis Hamilton me Mercedes fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, gara e 4-t sezonale e Botërorit të Formula 1, një garë spektakolare dhe me shumë të papritura, sidomos në xhirot e fundit. Ky është suksesi i parë sezonal për pilotin britanik, që la pas Kimi Raikkonen (i dyti me Ferrari) dhe Sergio Perez (i treti me Force India), që u ngjitën në podium.Gara për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, në Baku, u mbyll përpara kohe për pilotët e skuderisë austriake të Red Bullit, pasi australiani Daniel Ricciardo, i cili ishte në ndjekje të shokut të tij të skuadrës, holandezit Max Verstappen, tentoi pa sukses ta parakalonte në fundin e xhiros së 40, përpara se të hynin në kthesën e parë të xhiros tjetër. Ndonëse talenti holandez është kritikuar shpesh për agresivitetin e tij në pistë, duket se këtë radhë u bë vet prè e një sulmi të papërmbajtshëm nga kolegu Ricciardo, i cili pasi tentoi fillimisht ta mashtronte me një lëvizje, pa e trembur aspak atë që ishte përpara, ndryshoi kurs në momentin e fundit njëkohësisht me Maxin, duke përplasur njëvendëshet njëra pas tjetrës.
Ky është Botërori i makinës së sigurisë, që ka vendosur rezultatin përfundimtar në 3 gara deri më tani e kështu ndodhi edhe sot, pasi u bë sërish protagoniste. Nën regjimin e saj ndodhën shumë të papritura dhe pasi u largua nga pista, 4 xhiro nga fundi, pati shumë emocione. Vettel, në përpjekje për të kaluar Bottas e merr gjerë kthesën dhe frenon fort, duke u parakaluar nga Bottas, Hamilton e Raikkonen. Por edhe Bottas nuk ka fat, pasi në xhiron pasardhëse i shpërthen goma teksa ishte para bokseve, pa patur mundësi ta ndërrojë atë dhe braktis garën. Për pasojë, Hamilton gjendet i pari krejt papritur, pasi dy protagonistët kryesorë nuk kanë fat.Britaniku ruan kreun në 2 xhirot e mbetura, mban pas pa probleme Kimi Raikkonen, ndërsa Sergio Perez me Force India bën një parakalim fantastik ndaj Vettel, duke u renditur i treti. Piloti gjerman i Ferrarit e mbyll garën në vendin e katërt edhe pse përpiqet të kapë podiumin në fund, por pa sukses. Falë këtij triumfi, Hamilton ngjitet në krye të renditjes së Botërorit të Formula 1 me 70 pikë, ndërsa Vettel zbret në vendine dytë me 66 pikë, duke lënë pas Raikkonen, i treti me 48 pikë.