Nga Taulant Kulloll/ Si rrallëherë në historinë e popujve, një figurë e një kalibri të lartë patriotik si Mid’hat Frashëri trajtohet në heshtje totale. Nga këndvështrimi i demarketingut, kjo e ka një përgjigje: anashkalim. Anashkalimi do të sillte heshtjen dhe heshtja do të sillte harresën. Harresa ndaj figurave patriotike do të zhdukte moralin shoqëror të një kombi dhënë vite do të shkaktonte ç’popullimin e tij. Pak a shumë këto gjëra që po ndodhin në Shqipërinë e dekadave të fundit.
Madje shumë ish-nënpunës të diktaturës komuniste ‘nxjerrin vrer’ kur diskutohet për figurën e Mid’hat Frashërit. Ky mllef nëse do të kishte ndodhur dekada më përpara do të ishte i justifikuar nga pikëpamja politiko-sociale, duke parë regjimin në të cilin jetonim, por në vitin 2018 kjo tingëllon fare absurde. Popujt e tjerë evropianë do të befasoheshin nga këto‘ligësi’ që tregojmë ne si popull ndaj personazheve të një kalibri të tillë.
Dhe tingëllon akoma më absurde që ne si komb i trembeni heronjve tanë. I trembemi atyre që kanë dhënë gjithçka për Shqipërinë, madje edhe jetën për vendin tonë. U trembemi atyre që na vënë në dukje mangësitë tona, u trembemi atyre që na kritikojnë pse jemi kaq të prapambetur dhe u trembemi atyre që na tregojnë rrugën se si të bëhemi si popujt e tjerë përparimtarë: të zhvilluar dhe të qytetëruar.
“Kushdo që do të mësojë si është krijuar Shqipëria, duhet të njohë jetën dhe veprën e Frashërit” do të thoshte Fatos Lubonja. Kjo është e vërteta më e madhe, edhe pse e hidhur për pjesën dërrmuese të popullit tonë.
E hidhur sepse Mid’hat Frashëri ka jetuar në Britaninë e Madhe, ku themeloi komitetin ‘Shqipëria e Lirë’, dhe po ashtu ka jetuar gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë themelues i parë i ‘Rezistencës Antifashiste-Nacional Çlirimtare’ që quhej ‘Balli Kombëtarë’. Ka qenë kundërshtari Ahmet Zogut. Ka qenë themelues i librarisë dhe i bibliotekës ‘Lumo Skëndo’. Ka qenë ambasador dhe ‘Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve’. Ka qenë ministër në disa kabinete qeveritare gjatë viteve 1914-1920. Ka qenë ndër pjesëmarrësit më aktiv gjatë‘Shpalljes së Pavarësisë’. Ka qenë organizator dhe ‘Kryetari Kongresit të Manastirit ’në 1908. Ka qenë themelues i gazetës patriotike ‘Liria’ dhe i revistave ‘Kalendari Kombëtar’ dhe ‘Dituria’. Ka qenë djali i Avdyl Frashërit.
Nëse këto fakte nuk e bëjnë një njeri patriot dhe atdhedashës, atëherë është e qartë që në këtë vend nuk ka asnjë shenjë patriotizmi.
Përtej kësaj, rëndësia e figurës së tij nuk qëndron vetëm në ato që ka bërë, por do të ishte një shembull i përkryer për tu studiuar në këtë periudhë tepër të trazuar për shoqërinë shqiptare. Në një periudhë të tillë, ku demoralizimi dhe urrejtja ndaj vendit tonë ka arritur majat e saj, studimi dhe njohja e figurave të tilla si Mid’hat Frashëri, por edhe shumë të tjerë, do të ishte një gur i mirë themeli për rindërtimin e një morali shoqëror në këtë vend. Moral që do të bazohej në ato gurë themeli që quhen: atdhedashuri, punë, dituri dhe sakrificë. Pikërisht, këto pika që kanë qenë pilastrat e jetës dhe të veprës së Mid’hat Frashërit.