Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, është shprehur se Erion Veliaj mbetet kandidatura më e padiskutueshme për zgjedhjet lokale të qershorit.
“Kam një konsideratë për Erionin, që për mua është kandidati më i padiskutueshëm ndër 61 kandidatët që mund të zgjedhë Partia Socialiste. E kjo lidhet vetëm me punën qe ai ka bërë për Tiranën”, ka deklaruar ai.
Një ditë më parë pati raportime në media se Rama kishte thënë në mbledhjen e kryesisë së PS-së, se ai vetë nuk dinte të kishte një kandidat tjetër më të mirë për Tiranën sesa Erion Veliaj.
Sakaq, mbeten ende në pikëpyetje kandidati apo kandidatët që do të ketë përballë, sa kohë që opozita po organizon protesta, dhe thotë se zgjedhjet lokale do të mbahen njësoj me zgjedhjet e përgjithshme.