Nga: Lorenc Vangjeli
Në Francë nuk mund të hysh në Luvër për të parë Mona Lizën, në restorant për të provuar një pjatë me djathra, nuk mund të hysh në metro apo të flesh në hotel pa treguar më parë “Green Pass”, provën e vaksinimit antiCovid. Të njëjtën gjë janë të detyruar ta bëjnë shumica francezëve, të cilët rrezikojnë të humbasin vendin e punës nëse nuk pranojnë të vaksinohen.
Në Gjermani, rregulli 3 G, kushtëzon që vetëm me test negativiteti ose vaksinë, mund të shkosh në stadium apo të krehësh flokët. Në Evropë, nga veriu në jug, nga Danimarka, në Austri, Zvicër, Greqi e gjetkë, të pavaksinuarve po ju ngushtohen hapësirat e jetesës normale. Përtej Atlantikut, në SHBA dhe Kanada dhe masat po ashpërsohen gjithmonë e më shumë, në një përpjekje për të ndaluar me forcën e refuzimit ata që refuzojnë të vaksinohen. Në ka paqe as më në jug: në Paqësor Australia po ndjek të njëjtin trend mbylljeje dhe masash shtrënguese. Në thelb, ideja është e ngjashme kudo. Asnjë vend nuk e ka të detyrueshëm vaksinimin, por një spirale pengesash e vështirëson pafund jetesën për të pavaksinuarit. Kudo dhe gjithmonë e më shumë, ata po e gjejnë veten të përjashtuar nga jeta normale, e cila tashmë maskën në fytyrë e konsideron fytyrën e duhur njerëzore.
Në Tiranë është ndryshe! Pandemia është vetëm një statistikë e lajmeve dhe publiku ka fituar një indiferencë të frikshme nga ato që duket se burojnë nga bindja që Zoti nuk e ndëshkon të varfërin dhe mbron budallenjtë dhe të marrët. Në Tiranë ka javë që ka nisur të funksionojë në sytë e të gjithëve një treg kriminal për vaksinat. Jo për të bërë vaksinën, por për t’ju shmangur vaksinimit. Ka sekserë që presin pranë qendrave të vaksinimit dhe që në këmbim të rreth dyqind eurove, gjejnë infermieren “e duhur”: atë që bën sikur të shpon në krah dhe e derdh jashtë lëngun që premton të shpëtojë jetë. Brenda çmimit sigurohet edhe kartoni i vaksinimit dhe shënohet emri në e-Albania. Janë kryesisht mosha të reja, por dhe naivë e skeptikë pa moshë, që janë kërkuesit e këtij tregu të ndyrë që afron gjithmonë ofertë.
Kritikët e Ramës që nuk mungojnë kurrë, refuzuesit e Gertës që japin leksione cinike, por dhe ajo shumicë e frikshme e botës së internetit, të gjithë mallkuesit profesionistë që e shkruajnë llahtarisht keq shqipen normale, shpërthyen në urrejtje kur ca pak doza Pfizer ju dhanë shqiptarëve të shquar mbi 80 vjeç. Ai vrer e helm ligësie i disa muajve më parë mund të mirëkuptohet deri diku për shkak të frikës që qënia njerëzore ka ndaj vdekjes dhe idesë që dikush mundet t’i shpëtojë asaj. Çdo budalla interneti dhe çdo filozof anonim i asaj kohe, ishte i gatshëm të shkëmbehej me Margarita Xhepën apo Aleksandër Meksin që u vaksinuan atëherë të parët dhe ja konsideruan edhe yllit të kinemasë, edhe akademikut burrë shteti si privilegj Pfizerin që injektuan “pa radhë”. Fiks në atë kohë, në kushtet e mungesës së vaksinave në të gjithë botën, shumëkush ishte i gatshëm të bënte gjithçka për vaksinën. Me para apo me miqësi, me ngulm dhe panik. “Unë jam lypës”, thoshte me përunjësi krenare Rama që kishte nisur të lypte vaksina për të varfërit e tij në një botë të pasurish që e përbuzin gjithmonë varfërinë.
Shumë shpejt, si me magji ndryshoi gjithçka dhe ajo që ndodhi më pas në Tiranë, është krejtësisht e pakuptueshme për një danez, gjerman apo britanik. Eshtë e pamundur t’ja shpjegosh një amerikani apo kanadezi historinë kriminale që ka nisur të ndodhë në një përmasë të panjohur së paku në katër-pesë javët e fundit. Rradhat e gjata të të vaksinuarve u zëvendësuan me rreshtat larushë botës së antivaksinave. Kush shante deri dje pse nuk kishte vaksina mjaftueshëm, sot urren çdo masë që mund të shtrëngojë jetën e të pavaksinuarve. Mbledhjet dhe tolerimet, harbimet dhe mungesa e çdo kujdesi individual ndaj pandemisë, dasmat dhe ndeshjet, tallavaja e padurueshme e harresës së hareshme, e ka bërë Shqipërinë të duket siç është: një ishull i absurdit në Evropë. Ndaj në këtë absurd, do të vazhdojnë të jenë shumë ata që vetëm për ta derdhur jashtë, janë të gatshëm të paguajnë së paku dyqind euro.
Eshtë e drejtë e çdo individi të refuzojë vaksinimin, por është e drejtë e shoqërisë që të refuzojë çdo individ që i kërcënon shëndetin shoqërisë. Ata që mendojnë se vaksinimi është një proces okult seleksionimi i popullsisë në thelb kanë të drejtë. Po ndodh pikërisht kjo gjë, seleksionimi social dhe natyror i njerëzimit, por me një diferencë: ikin në moskthim ata që refuzojnë të vaksinohen.
Në të gjithë atë grup me skeptikë antivac, kush paguan për të shënuar emrin, por pa bërë vaksinën, realisht ka bërë një akt që ja hedh të gjithëve. Ata ja kanë hedhur vetes sepse kanë një çertifikatë që ju shmang privimet, ja kanë hedhur shtetit sepse tashmë janë një statistikë e rreme e Edit dhe Gertës, ja kanë hedhur miqve dhe të afërmve sepse ata ju afrohen pa ndroje. Vetëm sëmundjes nuk ja hedhin dot. Ata janë pjesë e padiskutueshme e atij pothuaj njëqind për qindshi të vdekjeve nga Covidi, një sëmundje e cila po me statistikë, rezulton se zgjedh të marrë të pavaksinuarit. Marrëzia nuk ka kurrë një çmim të qartë, por për të paguhet gjithmonë. Shpesh paguhet më shumë se njëherë për të njëjtën marrëzi. Pendesa e pashmangshme për fundin nuk mund të ngushëllojë askënd, përveç viktimave të marrëzisë vetjake.
Në Shqipëri është luks të mendohet se në stadium, restorante, qendra tregtare apo edhe në spital për të marrë shërbim, mund të hyet vetëm me Green Pass. Tirana nuk është as Parisi, as Gjermania dhe as Vjena. Fatkeqësisht Tirana e Ballkanit Perëndimor ku njerëzit ndjekin me emocion ringun e Saliut me Lulin dhe Për’Puthjen e Alvisës me Bashkimin, nuk është as Stambolli i mrekullueshëm, edhe Evropë, edhe Azi, edhe Perëndim, edhe Lindje. Në fakt, otomanët e dikurshëm nga Stambolli, “i stërvitën” shqiptarët në sportin absurd: shijimi i marrëzisë për t’ja hedhur sa herë kanë mundësi qeverisjeve të tyre, të cilat nuk i besojnë edhe kur ju thonë ndonjëherë të vërteta të thjeshta.