Për kontributin e dyfishtë si mjek infeksionist gjatë pandemisë Covid 19 dhe debatin publik rreth çështjeve aktuale dhe emergjente të shëndetësisë, UET i akordoi mjekut Tritan Kalo, Certifikatën e Mirënjohjes. Presidenti i UET, Selami Xhepa, e cilësoi atë si shembulli i një figure me integritet të lartë e i pakorruptueshëm. Vetë profesor Kalo ndau dy këshilla me studentët, duke i inkurajuar ata të mos jenë konformist dhe të ruajnë profesionalizmin.
Kur një profesionist kishte shansin të udhëtonte jashtë Shqipërisë së izoluar për ndonjë konferencë shkencore apo ndonjë specializim më të gjatë, me shumë kujdes- kurrë të tepruar për regjimin e kohës -mundohej të merrte me vete ndonjë të mirë materiale, të munguar në vendin e varfër komunist. Mjeku Tritan Kalo u kthye nga Franca me dy valixhe plot me libra dhe literaturë shkencore. Studentëve të asokohe në Fakultetin e Mjekësisë u thuhej shpesh sesa me fat ishin ta kishin pedagog, mjekun e specializuar në universitetin Paris 7, një ndër më elitarët në botë…
Sot, pas 41 vitesh karrierë si mjek infeksionist dhe epidemiolog, të shumtë janë pacientët me fat, të cilëve përkushtimi i jakës së bardhë të doktor Kalos u shpëtoi jetën. Me fat ndihen edhe shumë shqiptarë, që gjetën paqe e qetësi të mendjes nga këshillat profesionale të mjekut, që për vete u rreshtua në vijën e parë të rrezikut, në përballjen me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi. Ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së ministres se Shëndetësisë, në një kohë kur nevoja për mjek ishte më jetike se kurrë. I pa kompromis në devizën e profesionistit, por edhe atë të qytetarit të përgjegjshëm, Tritan Kalo u bë një nga figurat më të njohura për shoqërinë shqiptare.
Kontributi si mjek infeksionist gjatë pandemisë Covid 19 dhe ai në debatin publik rreth çështjeve aktuale dhe emergjente të shëndetësisë, ishte motivacioni që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET, ngriti për doktor Kalon, duke e nderuar me një titull të rëndësishëm të universitetit për figura të shquara në fusha të jetës publike.
Presidenti i UET, Selami Xhepa, vlerësoi figurën e doktor Kalos dhe kontributin e tij, veçanërisht në kohët e pasigurta të pandemisë, si një prej atij grupi të patrembur mjekësh që sfiduan ankthin shoqëror, në kurimin e pacientëve, por edhe në qetësimin e shoqërisë duke i udhërrëfyer nga dija shkencore dhe larg panikut kolektiv.
Xhepa u ndal edhe tek një tipar i mjekut, duke e quajtur atë një figurë të pakorruptueshme.
“Nuk e kam vetëm në kuptimin materialist. Korupsioni më i keq për shoqërinë është ai profesional, korrupsioni i integritetit moral, njerëzor. Te Tritan Kalo kam parë personin e pakorruptushëm, që nuk miklohet nga elozhet, nuk miklohet nga kulmi i suksesit të karrierës së tij”, vijoi presidenti i UET, duke e parë Kalon si protagonisti që thotë të vërtetën dhe e nderon profesionin dhe karrierën, me shembullin e tij.
Ndonëse aktiv në jetën publike me opinionet e tij, me zgjedhjen për të thënë të vërtetën të pazbukuruar, Tritan Kalo, ishte fjalëpak gjatë ceremonisë, duke u ndalur në dy këshilla thelbësore për studentët që ndjekin Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, në UET.
“Kurrë të mos jeni konformistë dhe kurrë të mos dilni nga ajo që quhet korniza e profesionalizmit!”, u tha mjeku të rinjve, ndërsa i inkurajoi se janë dy elementë që do i ccojnë përpara në jetë. “Mund të mos bëni atë karrierë që meritoni, por të paktën mbeteni ata që jeni. Në jetë duhet mbahesh mend me emrin tënd, punën tënde dhe kontributit tënd, jo atë çka “shoqëria” apo politika të japin, ndoshta jo të bazuar në meritën e punës”, vijoi mjeku i njohur.
Ai zbuloi se në karrierën e tij shkon me parimin e PPP-së, por sqaroi se ishte krejt e ndryshme nga ajo shpesh famëkeqja, si partneritet publik-privat. “Për mua, PPP-ja e famshme në punë time si mjek ka qenë “Puna, Profesionalizmi dhe Përkushtimi”. Këta tre elementë janë më të dobishëm se PPP që po rrënojnë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”, përfundoi ai.
Mjeku Ilir Alimehmeti, i pranishëm në ceremoni, bashkë me kolegë të tjerë e ish-studentë, u shpreh i keqardhur se breza të tërë studentësh janë privuar nga dijet dhe vlerat e profesor Kalos, në auditorët universitarë. Kalo vendosi të mos i kthehej mësimdhënies në auditorë, pas një përvojë 16-vjeçare në to, por megjithatë vijoi të ishte aktiv në detyrën e mjekut infeksionit dhe epidemiolog.
“Profesor Tritani është një nga mentorët më të mrekullueshëm që kemi pasur. Kemi privuar shumë studentë nga të pasurit një mentor të tillë, një brengë që nuk kam fjalë ta shpjegoj. Në një minutë që foli profesori, na dha dy këshilla të mira për t’i përdorur. Të thjeshta, por ju garantoj se do të jenë më të vështirat për t’i vënë në praktikë, por po i vutë në praktikë do të jeni më të nderuarit”, iu drejtua Alimehmeti studentëve dhe të pranishmëve.
Të pranishëm ishin edhe miq të doktor Kalos, të cilët shpalosën dimensione të tjera nga jeta sociale e tij. Ish-deputetja Vasilika Hysi, e vlerësoi tiparet humaniste të mjekut dhe sesi gjatë pandemisë, nuk ishte lodhur së dhëni këshilla e receta për këdo që kishte nevojë.
“Pavarësisht teknologjisë, kemi nevojë për një mjekësi që të shëron me fjalën”, tha zonja Hysi.
Më 2 korrik të këtij viti, Tritan Kalo u bënë plot 41 vite, nga koha kur ai hyri si mjek stazhier në atëkohë Spitalin nr.4 të Sëmundjeve Infektive. Pas katër dekadash, ka aty
për shkak të moshës, një pozitë socio-profesionale, që ai vetë e cilëson të një “pensionshtyri”.
Në atë spital, sot pjesë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, dha kontribute dhe përballoi me ekipin epidemi si Leptospirosa në 1983, Rubeola në 1984-n apo Etheve Hemorragjike të Kongo-Krimesë në 1985. Më vonë goditën epidemi si ajo Fruthit në 1989, epidemia e Kolerës më 1994 si dhe ajo e Poliomelitit më 1996, Pandemia e Gripit të Derrit H1N1 më 2009-n dhe Sars-Cov2/Covid- 19, nga 2020 e në vazhdim.
“Më profesionalizëm, humanizëm dhe duke vënë si mjek në detyrë në rrezik edhe shëndetin e tij, me shumë përkushtim shpëtoi jetën e shumë pacientëve nga e gjithë Shqipëria”, tha dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, në UET, Voltisa Lama.
Profesor Kalo gjatë karrierës kreu një sërë specializimesh brenda dhe jashtë vendit- për infektiologji, sëmundje tropikale dhe reanimacion mjekësor- ndër ta edhe në Universitetin Paris 7 dhe spitalin “Claude Bernard”, por siç i pëlqen të shprehet, e nisi rrugëtimin si mjek stazhier në spitalin e Sëmundjeve Infektive e po e mbyll aty, po si mjek i thjeshtë… aq i pacenuar dhe pa kompromise si ditën që hyri…