Të rinj, studentë dhe familjarë gjetën menjëherë punë kur u hapën qendrat telefonike “call center” në Shqipëri. Por kohët e fundit gjërat nuk po shkojnë mirë në këtë sektor. Mesa duket ligji i delokalizimit nga shteti italian ka filluar të japë rezultat, ndërsa operatorët tregojnë se problemet për ta kishin filluar që më parë.
Gjatë këtij viti kanë mbyllur aktivitetin të paktën 30 subjekte “call center”, që operonin në sektorin e telemarketingut. “Monitor” ka identifikuar disa kompani, pasi i filtroi sipas emrave nga lista e subjekteve totale, që kishin kaluar në status pasiv në periudhën janar-8 nëntor 2017. Gjithashtu i kontaktoi për t’i pyetur në lidhje me arsyet që kishin mbyllur aktivitetin.
Sipas aktorëve të tregut, numri i kompanive “call center” që janë mbyllur nga fillimi i vitit e deri më sot janë më shumë. Por identifikimi i tyre është i vështirë pasi një pjesë e madhe e tyre janë biznese të vogla të regjistruara si Persona Fizikë.
Një subjekt që ka kaluar në listën e bizneseve me status pasiv është “H & L Communication”, e cila u hap në fund të gushtit 2015. Sipas përshkrimit në ekstraktin e QKR, kompania do të shërbente në ofrimin e shërbimeve telefonike nëpërmjet telemarketingut.
Duke parë potencialin që kishte në Shqipëri ky sektor, administratori i kësaj kompanie mori në administrim tre qendra telefonike në Tiranë. Por tani ai operon vetëm me njërën prej tyre. Dy të tjerat, njëra prej të cilave punësonte rreth 110 persona, nuk arritën të mbijetonin në treg. Sipas administratorit, shkaqet ishin të shumta, por më kryesori ishte mungesa e fushatave nga shteti fqinj.
“Nëse situata vazhdon kështu, nuk do të jemi gjatë. Kam bërë investimin e jetës, kam kredi. Po më duket sikur po më marrin punën nga duart”,- tha ai kur u pyet se si e shikonte situatën në vijimësi.
Një tjetër qendër telefonike që ka kaluar në statusin pasi në Tatime është “Universal Call”, me zyra në Bulevardin Zogu i I. Administratori i kompanisë Erion Nushi është shprehur se e ka mbyllur biznesin pasi nuk ka më aktivitet. Kjo kompani u regjistrua si biznes në tetor të 2013-s. Sipas Nushit, ecuria ishte shumë e mirë për rreth një vit e gjysmë, por më pas ata nuk arritën të lidhnin kontrata për të sjellë fushata marketingu nga kompanitë italiane të marketingut.
Ndërsa Kejdi Xhemaj ka thënë se mungesa e kontratave me italianët u bë shkak falimentimi për biznesin e tij të “call center”-it. “Nuk po siguroja më kontrata, falimentuam pas një viti”, tha ai kur u pyet për shkaqet e mbylljes.
Gjithashtu “AID Communication” ishte një nga qendrat telefonike që kaluan në statusin pasiv. Administratori Roland Ziu tregoi se kompania e tij falimentoi, pasi nuk arriti më që të siguronte kontrata nga pala italiane.
Në mars të vitit 2017, për të njëjtën arsye, listës për pezullim iu shtua dhe aktiviteti i zotit Niklovan Çela: Nuk siguruan dot më kontrata.
Ka edhe shumë operatorë të tjerë që kanë kaluar në status pasiv gjatë këtij viti. Ata janë subjekte përgjithësisht të reja, të krijuara dy vitet e fundit, pasi aktiviteti i “call center” filloi të bëhej mjaft i përhapur në vend, duke shfrytëzuara koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e gjuhës italiane, çka bënte që kompanitë italiane të transferonin këtë shërbim në Shqipëri. Deri në momentin që qeveria italiane ndërhyri për të shpëtuar mbylljen e vendeve të punës, që po ikin nga Italia drejt Shqipërisë.
Më 1 prill, në Itali hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e “call center”-it, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve jo-anëtare të ashkimit Europian dhe vendosi gjoba deri në 50 mijë euro për shkelje të tilla si p.sh mos tregimi i vendit të origjinës nga po kryhej telefonata.
I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.
Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë “call Center” në Shqipëri, të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane, por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.
Por goditja finale për “call center”-at nga Italia erdhi në mars, ku 13 kompani italiane firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian, Paolo Gentiloni dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda.
Marrëveshja parashikonte që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”.
Në këtë marrëveshje u angazhuan 13 kompanitë më të mëdha që sillnin fushata marketingu në Shqipëri. Këto subjekte përbëjnë 65% të sektorit për sa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, IntesaSanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia.