Ministri i Jashtëm në detyrë, Behxhet Pacolli i ka shprehur ngushëllimet e tij dy vëllezërve kosovarë dhe të gjitha viktimave që humbën jetën ditën e sotme, si pasojë e lëkundjeve sizmike me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Pacolli shkruan se ndan dhimbjen me familjarët e Shemsedin dhe Isa Abazit nga Gjilani. Ata mbetën të bllokuar mëngjesin e sotëm në Hotel “Tropikal” në Durrës.
Ndërkohë, ata kishin bërë thirrje për ndihmë duke telefonuar të afërmit e tyre, por pas shumë orësh, pas sinjalizimit për shpëtim, nuk arritën që të mbijetojnë.
“Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli.