Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, e cila zbatoi disa nga politikat kontradiktore të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me kufijtë, ka dhënë dorëheqjen.
Ajo nuk dha asnjë arsye për largim në letrën e saj të dorëheqjes, megjithëse tha se kjo ishte “koha e duhur për t’u tërhequr” dhe se SHBA është më e sigurtë tani sesa kur e kishte marrë detyrën.
Një nga vendimet që shkaktoi debat ishte mbështetja e saj ndaj presidentit Trump, për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën dhe shpalljen e emergjencës kombëtare.
Këto vendime sollën edhe mbylljen për 35 ditë të zyrave federale. 46-vjeçarja e mori këtë detyrë në vitin 2017, duke zëvendësuar gjeneralin John Kelly. Ndërkohë Donald Trump, përmes një mesazhi në Twitter, njoftoi se Nielsen do të zëvendësohet në këtë post nga Komisioneri i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve, Kevin McAleenan.