Arlen Hasanaj, 34-vjeç, ra në prangat e bluve të Durrësit, pasi dyshohet se ka vendosur tritolin në banesën e kreut të FSHF-së, Armand Duka.
Ndaj tij janë ngritur dy akuza, ndonëse nuk e ka pranuar krimin. I riu akuzohet për veprat penale: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, por ai vetë ka mohuar gjithçka duke shtuar se s’ka lidhje me ngjarjen, por nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme.
Hasanaj nuk ka qenë i skeduar asnjëherë nga policia. Arrestimi ka ardhur pasi u vërtetua nga lëvizjet që bëri nëpërmjet kamerave të sigurisë.
34-vjeçari, i cili figuron si administrator i një biznesi në Durrës, nuk bëri rezistencë në momentin e shoqërimit, por deri tani nuk i ka pranuar akuzat.
Ja se çfarë njofton policia
Dy ditë nga shpërthimi në portën e shtëpisë së kreut të FSHF, Armand Duka, policia e Durrësit ka një të arrestuar, si autor të dyshuar të ngjarjes. Ai është 34-vjeçari Arlen Hasanaj.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i Arlen Hasanaj, 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së Armand Dukës, ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore”.