Një adoleshent kinez, i cili u shit nga prindërit e tij kur ishte foshnje, i ka dhënë fund jetës pasi ishte refuzuar për herë të dytë nga prindërit e tij biologjikë. Liu Xuezhou i dha fund jetës në provincën Hainan, të hënën në mëngjes.
Fillimisht 17-vjeçari postoi një video ku kërkonte ndihmë, për të gjetur familjen e tij biologjike. Sipas raportimeve të mediave, Liu u shit nga prindërit e tij biologjikë në vitin 2005, dhe u mor nga një familje tjetër.
Prindërit e tij birësues vdiqën më vonë në një aksident, dhe ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij me gjyshërit dhe të afërmit e tjerë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, 17-vjeçari arriti të gjente prindërit e tij biologjikë, të cilët që atëherë ishin divorcuar dhe rimartuar. Liu tha në mediat sociale se në fillim kishte qenë një ribashkim i lumtur – por gjërat morën një tjetër kthesë.
Ai kishte pyetur prindërit e tij nëse mund të jetonte me ta, ose t’i blinin një shtëpi, gjë që nuk mund ta bënin për mungesë burimesh financiare. Prindërit e kanë kundërshtuar këtë vendim. Liu kishte deklaruar se do të padiste prindërit e tij për braktisje, duke thënë në një postim në Weibo, se ai do t’i shihte ata në gjykatë.
Thuhet se adoleshenti më pas ishte ngacmuar në internet, ku shumë thanë se ai kishte kërkuar vetëm një shtëpi nga prindërit e tij, dhe se po përpiqej të fitonte simpati.
Vetëm pas mesnatës të së hënës, Liu postoi një ese të gjatë në Weibo, në të cilën ai detajoi ngjarjet e jetës së tij dhe se si u sulmua në internet.
“Kam duruar të më thërrasin me shumë emra”, tha ai, duke shtuar se ishte “braktisur dy herë” nga prindërit e tij biologjikë.
Në rreshtat e fundit të shënimit të tij ai tregonte se “po i jepte fund kësaj jete”. Postimi shkaktoi komente të shumta, duke i kërkuar atij që të mos vetëvritej.
Halla e tij më vonë konfirmoi vdekjen e tij në mediat lokale, duke thënë se ai u gjet më vonë pasi u publikua shënimi i tij.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today