Kryetarja e LSI-së ka hedhur akuza mjaft të forta ndaj Policisë së Shtetit. Kryemadhi ka thënë se disponon prova, se policia ka fshehur një ngjarje tejet të rëndë. Sipas Kryemadhit, në Vlorë është gjetur një trup pa kokë, dhe ngjarja është fshehur, duke mos lënë gjurmë.
“Dje në Llakatund të Vlorës u gjet një person me kokë të prerë, dhe nuk ka asnjë njoftim. Por ngjarja u fsheh”, tha Kryemadhi në “Open”, në “Top Channel”. Po ashtu ajo theksoi se është survejuar nga organet ligjzbatuese.
Ndër të tjera, Kryemadhi ka nënvizuar se krimi e shikon politikën si mjet, për të kontrolluar sistemin.
“Kriminelët duhet të shkojnë në burg, jo të hiqen nga politika dhe të fitojnë tendera. Krimi e shikon politikën si mjet për të kontrolluar sistemin. Dëgjojmë që kriminelët që janë në kërkim bëjnë sherre nëpër klube, dhe nuk del asnjë njoftim.
Ndërsa politika tashmë është bërë argate e krimit. Ka prezencë kriminelësh në zyrat e shtetit. Jo krimineli vetë në zyrë, por e dashura, motra ose bashkëshortja e tij”, deklaroi ajo.