Një vrasje e dyfishtë, si dhe një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në një lokal në qytetin e Pejës. Burime zyrtare të policisë konfirmuan se të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar rreth orës 20:20, në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”.
Personat që kanë mbetur të vrarë janë dy zyrtarë të lartë të PDK-së, kandidati për kryetar të Komunës, Astrit Ademaj dhe zyrtari Blerand Kadriaj. Po të njëjtat burime shtojnë se i plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avniu.
Blerand Kadriaj, në zgjedhjet e kaluara ka qenë kandidat për kryetar të Deçanit.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
“Tepër i tronditur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur minuta më parë në Pejë. Në këtë rast tepër të rëndë, u vra edhe kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e të vrarëve. Qytetarët e Pejës janë tepër të tronditur nga kjo ngjarje tragjike”.