Një tjetër incident është shënuar përgjatë zgjedhjeve që po mbahen në Kosovë. Një aktivist i LDK-së është sulmuar dhe rrahur nga disa persona, që pretendohet se mbështesin formacionin politik PDK.
Ngjarja në fjalë është konfirmuar edhe nga vetë LDK-ja, e cila nëpërmjet një komunikate zyrtare njofton se personi në fjalë është Fidan Kamberi. Gjithashtu nëpërmjet komunikatës bëhet e ditur se shtetasi i lënduar, është vëllai i kryetarit të degës së LDK-së për Mitrovicën, Safet Kamberi.
Ndërkohë, raportohet se ai ka marrë dëmtime serioze dhe po mjekohet në spitalin e Mitrovicës.
Njoftimi i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon ashpër sulmin brutal nga aktivistët e PDK-së kundër Fidan Kamberit, arsimtarit të shkollës fillore ‘Bislim Imeri’ në Kçiq të Madh të Mitrovicës.
LDK-ja konfirmon se Fidan Kamberi është vëllai i kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi. Fidan Kamberi ka qenë i angazhuar nga shkolla ‘Bislim Imeri’ për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Nga sulmi brutal, ai ka marrë lëndime serioze dhe po trajtohet në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës.
LDK-ja kërkon nga organet kompetente kapjen sa më të shpejtë të autorëve të këtij sulmi dhe ndriçimin e motivit të tij. LDK-ja kërkon nga subjektet garuese të ndikojnë për parandalimin e sulmeve të tilla.