Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me masat e marra nga qeveria për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Ministrja Etilda Gjonaj ka kërkuar bashkëpunimin e institucioneve shtetërore, në marrjen e masave për të aplikuar politika, që do të çojnë në dënime alternative.
Sipas ministres, kjo kërkesë bëhet për të parandaluar rritjen e numrit të burgosurve dhe të paraburgosurve.
“Kërkojmë angazhimin tuaj maksimal për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe infektimin e tyre nga personat që futen rishtazi”, shprehet Ministria e Drejtësisë.
Kujtojmë se numri i të prekurve nga koronavirusi në vend ka shkuar në 55. Qeveria ka vendosur masa të rrepta kufizuese, duke ndaluar qarkullimin me makina personale, transportin publik apo edhe lëvizjen më këmbë pas orës 6 mbasdite.