Manchester United vazhdon të zhgënjejë dhe tashmë skuadra është në një krizë të thellë. Pas barazimit të marrë fundjavën e kaluar kundër Wolves dhe eliminimit të pësuar në Kupën e Ligës kundër Derby-it, është mposhtur ditën e sotme fushën e West Ham.
“Djajtë e Kuq” pësuan një humbje të thellë përballë londinezëve me rezultat 3-1 dhe tashmë mbeten në vendin e tetë me vetëm 10 pikë në shtatë ndeshje.
Pesë minuta lojë kanë mjaftuar që vendasit të gjenin golin e avantazhit me Felipe Anderson. Një avantazh ky që është dyfishuar dy minuta para fundit të pjesës së parë, kur Lindelof ka devijuar në rrjetën e portës së tij një goditje të Yarmolenko-s.
Reagimi i “Djajve” ka ardhur në minutën e 71-të, teksa Marcus Rashford ka ngushtuar diferencat me një goditje të mrekullueshme me thembër.
Gjithsesi, shpresat e United për të shmangur humbjen janë shuar tri minuta më mbrapa, kur Arnautovic ka realizuar golin e tretë për West Ham, duke fiksuar shifrat në 3-1.
Kjo humbje mund t’i shkaktojë vendin Jose Mourinho-s, me tifozët e United që kanë kërkuar shkarkimin e tij të menjëhershëm në rrjetet sociale. Klubi ka bërë të ditur se mbështet teknikun në ditët e kaluara, por rezultati i sotëm mund t’i bëjë drejtuesit të ndryshojnë mendim.