Fatbardh Kokomeci ka përfunduar në pranga, pasi tentoi të kalonte 6.5 kg marijuanë nga porti i Durrësit.
54-vjeçari, banues në Tiranë, është drejtuesi i një mjeti tip autobus, i cili u arrestua pas kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës.
Sipas njoftimi të Policisë së Shtetit, në pjesën e pasme, pas sedileve të fundit, u gjetën 5 pako me lëndë narkotike, e llojit marijuanë me peshë 6.5 kg.
Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.