Çështja e Teatrit, me shumë gjasa do vijojë me protesta si në Kuvend dhe jashtë saj. Edhe sot deputetët nuk gjetën konsensusin, e në shenjë revolte ata lanë sërish karriget, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kreu i grupit demokrat, Edmond Spaho, i është kthyer dhe një herë debatit të votimit për ligjin e Teatrit, ku një prej deputetëve votoi me kartë tjetër. Sipas Spahos, opozita nuk qëndron në një Kuvend ku vidhet vota. Në këtë formë, opozita braktisi seancën parlamentare në shenjë proteste, për mospërsëritjen e votimit për ligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Ne duam të rivotohet ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar, sepse një nga deputetët e maxhorancës kishte votuar edhe për një deputet të opozitës.
Dhe kryetari i Kuvendit porositi që të mblidhej këshilli i votimeve dhe procedurave, i cili u mblodh dhe vërtetoi qëndrimin e opozitës që votimi në emër të një deputeti të opozitës, ishte kryer pavarësisht nga pretendimet e palëve se kush e kishte kryer.
Sa kohë që ky votim ka qenë i parregullt në përputhje me rregulloren, duhet të përsëritet. Për rrjedhojë, në emër të grupeve të opozitës, kërkoj që të rivotohet ligji për Teatrin, pasi ka qenë i parregullt.
Për shkak se ju nuk lejoni që të korrigjohet ky veprim i gabuar nga ana e Kuvendit, në shenjë proteste, ne do largohemi nga kjo seancë, pasi nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota, edhe kur nuk ka nevojë për ta bërë këtë”, deklaroi Spaho.
Por kjo situatë, e cila kohët e fundit është shpeshtuar, ka marrë edhe një përgjigje të prerë nga deputetja e PS-së, Hysi. Kryesuesja e seancës, deputetja socialiste Vasilika Hysi, i ka uruar ditë të mbarë kolegëve demokratë.
“Faleminderit, ditë të mbarë kolegëve të opozitës”, tha Hysi.
Në kohën kur Teatri është kthyer në një “moll sherri”, artistët sjellin në ndihmë kujtesën, emrat e mëdhenj. Duket se edhe palët janë lodhur nga këto diskutime të zjarrta për godinën e kujtesës.
Ajo është streha e një plejade të jashtëzakonshme të njerëzve të artit. Artistët e mëdhenj u bënë heronj të jetës së përditshme, sepse luajtën në role heronjsh, e nga ana tjetër qëndron Kuvendi, ku gëlon sharja e mosdakordësia.