Udhëheqësit e rinj ushtarakë të Guinesë, kërkuan të forcojnë kontrollin e tyre pas rrëzimit të Presidentit Alpha Conde, duke paralajmëruar zyrtarët lokalë se refuzimi për të dalë në një takim të thirrur të hënën, do të konsiderohej si një rebelim kundër juntës.
Pasi e vuri kombin e Afrikës Perëndimore përsëri nën sundimin ushtarak për herë të parë në më shumë se një dekadë, junta tha se guvernatorët e Guinesë do të zëvendësoheshin nga komandantët rajonalë. U vendos një shtetrrethim nate dhe kushtetuta e vendit dhe Asambleja Kombëtare u shpërndanë.
Junta ushtarake gjithashtu refuzoi të lëshojë një afat kohor për lirimin e Conde, duke thënë se udhëheqësi 83-vjeçar i rrëzuar, ende ishte në kujdesin mjekësor. Blloku rajonal i Afrikës Perëndimore i njohur si ECOWAS, bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe kërcënoi të vendosë sanksione nëse kërkesa nuk përmbushet.
Largimi i Conde me forcë të dielën, erdhi pasi presidenti kërkoi një mandat të tretë të diskutueshëm në detyrë vitin e kaluar, duke thënë se kufijtë e afatit nuk zbatoheshin për të. Ndërsa opozita politike dhe junta kërkuan rrëzimin e tij.
Gjithashtu nuk ishte e njohur se sa mbështetje kishte udhëheqësi i juntës, kolonel Mamadi Doumbouya brenda ushtrisë më të madhe. Si komandant i njësisë së forcave speciale të ushtrisë, ai drejtoi ushtarët elitë, por ishte akoma e mundur që të tjerët që i mbetën besnikë presidentit të rrëzuar të mund të ngrinin një kundërsulm në orët ose ditët e ardhshme.
Në njoftimin e grushtit të shtetit në televizionin shtetëror, Doumbouya u paraqit si një patriot i Guinesë, për të cilin ai tha se nuk kishte arritur të përparonte ekonomikisht që kur fitoi pavarësinë nga Franca dekada më parë. Vëzhguesit thonë se tensionet midis presidentit të Guinesë dhe kolonelit të ushtrisë vijnë nga një propozim i kohëve të fundit, për të shkurtuar disa rroga ushtarake.
“Ne nuk do t’ia besojmë politikën një njeriu. Ne do t’ia besojmë atë njerëzve”, tha ai, i veshur me një flamur të Guinesë, me rreth një duzinë ushtarësh të tjerë të rrethuar në anën e tij.
Junta më vonë njoftoi planet për të zëvendësuar guvernatorët e Guinesë me komandantë rajonalë në një ngjarje publike të hënën dhe paralajmëroi: “Çdo refuzim për t’u paraqitur, do të konsiderohet rebelim”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shkroi në Twitter se ai dënon ashpër “çdo marrje nën kontroll të qeverisë me forcë të armës”.
Të dielën në mëngjes, të shtëna të forta armësh shpërthyen pranë pallatit presidencial dhe vazhduan për orë të tëra, duke ndezur frikën në një komb që tashmë ka parë grushta të shumta shteti dhe përpjekje për vrasje presidenciale. Ministria e Mbrojtjes fillimisht pohoi se sulmi ishte zmbrapsur nga forcat e sigurisë, por pasiguria u rrit kur nuk kishte asnjë shenjë të mëvonshme të Conde në televizionin ose radion shtetërore.
Zhvillimet që pasuan, pasqyruan nga afër grushtet e tjera të shtetit në Afrikën Perëndimore: Koloneli i ushtrisë dhe kolegët e tij morën kontrollin e valëve të transmetimit, duke deklaruar angazhimin e tyre ndaj vlerave demokratike, dhe duke shpallur emrin e tyre: Komiteti Kombëtar për Tubimin dhe Zhvillimin.
Ishte një dështim dramatik për Guinenë, ku shumë kishin shpresuar se vendi kishte kthyer faqen në kapjen e fuqisë ushtarake.
Fitorja e Conde´s në zgjedhjet e vitit 2010 – vota e parë demokratike e vendit ndonjëherë – supozohej të ishte një fillim i ri pas dekadave të sundimit të korruptuar, autoritar dhe trazirave politike. Në vitet që pasuan, megjithatë, kundërshtarët thanë se edhe Conde nuk arriti të përmirësojë jetën e Guineasve, shumica e të cilëve jetojnë në varfëri pavarësisht pasurive të mëdha minerale të vendit nga ari.
Një vit pas zgjedhjeve të para të Conde, ai mbijetoi pak nga një përpjekje për vrasje kur persona të armatosur rrethuan shtëpinë e tij gjatë natës dhe goditën dhomën e tij të gjumit me raketa.
Demonstratat e dhunshme në rrugë shpërthyen vitin e kaluar, pasi Conde organizoi një referendum për të modifikuar kushtetutën. Trazirat u intensifikuan, pasi ai fitoi zgjedhjet e tetorit dhe opozita tha se dhjetëra u vranë gjatë krizës.
Në Senegalin fqinj, i cili ka një diasporë të madhe të Guineasve që kundërshtuan Conde, lajmi për vdekjen e tij politike u prit me lehtësim. “Presidenti Alpha Conde meriton të rrëzohet. Ai me kokëfortësi u përpoq të kandidonte për një mandat të tretë kur nuk kishte të drejtë ta bënte këtë”, tha Malick Diallo, një pronar dyqani në periferi të Dakar.
“Ne e dimë se një grusht shteti nuk është i mirë”, tha Mamadou Saliou Diallo, një tjetër Guineas që jeton në Senegal. “Një president duhet të zgjidhet me votë demokratike. Por ne nuk kemi zgjidhje. Ne kemi një president që është shumë i vjetër, i cili nuk i bën më Guineanët të ëndërrojnë dhe që nuk dëshiron të largohet nga pushteti”.
Guinea ka pasur një histori të gjatë paqëndrueshmërie politike. Në 1984, Lansana Conte mori kontrollin e vendit, pasi udhëheqësi i parë pas pavarësisë vdiq. Ai qëndroi në pushtet për një çerek shekulli deri në vdekjen e tij në 2008, dhe u akuzua se kishte nxjerrë arkën e shtetit për të pasuruar familjen dhe miqtë e tij.
Pushteti i dytë i vendit pasoi së shpejti, duke vënë në krye kapitenin e ushtrisë Moussa “Dadis” Camara. Gjatë sundimit të tij, forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve në një stadium në Conakry, të cilët po protestonin kundër planeve të tij për të kandiduar për president. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se më shumë se 150 njerëz janë vrarë dhe të paktën 100 gra janë dhunuar. Camara më vonë shkoi në mërgim, pasi i mbijetoi një atentati dhe një qeveri kalimtare organizoi zgjedhjet historike të vitit 2010 të fituara nga Conde.
Burimi i lajmit: Dailymail. Përshtatur nga Tirana Today