Aktualisht kundër Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Tiranës numërohen 139 padi nga biznese të ndryshme për vlerësime dhe gjoba të padrejta. Ky institucion ka numrin më të lartë të përballjeve gjyqësore në vend.
Disa prej padive aktualisht gjendet për rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që pjesa dërrmuese janë në përpunim nga Gjykata Administrative e Tiranës.
Ato i kërkojnë Gjykatës shfuqizimin e gjobave të kripura prej miliona lekëve, apo rimbursimin e detyrimeve të vjelura pa të drejtë nga tatimet. Kompanitë kërkojnë shfuqizimin e gjobave dhe kamatëvonesave të cilat shpesh arrijnë në dhjetëra mijëra dollarë në formën e vlerësimeve tatimore, të gjobave e kamatëvonesave.
Në tërësi viti 2017 ka shënuar një bum padish nga bizneset kundër administratës tatimore. SCAN ka zbardhur të dhënat zyrtare të administratës gjyqësore, sipas së cilës, aktualisht ka arritur në 426 numri i bizneseve që kanë paditur administratën tatimore për vlerësime, gjoba apo kamatëvonesa të padrejta.