Teksa frika për akte të dhunshme gjatë protestës së nesërme është prezente, deputeti demokrat Gent Strazimiri thotë se dhuna më e madhe ndaj qeverisë është mbushja e shesheve plot nga njerëzit.
Gent Strazimiri: Nesër ajo që kuptohet është se qeveria ka frikë. A do të ketë dhunë? Askush nuk e do dhunën por varet se çfarë përceptojmë dhunë. Qeveria përcepton dhunë mbushjen e sheshit me popull, rrethimin e Kryeministrisë me popull. Ajo është dhuna më e madhe për një regjim. Ai që ka popullin me vete, arrin të lëvizë zemrat e njerëzve nga Tropoja deri në Delvinë dhe të ti sjellë në Tiranë, ai nuk ka nevojë për dhunë.
I ftuar në Ora News, ai i bën thirrje policisë të shmangë çdo provokim.
Gent Strazimiri: Nesër do të jetë populli në shesh. Policia që ka marrë urdhër të shmangë provokimet sot është në moment terrori, terrorin e shefave të saj. Është e përbërë ekskluzivisht nga militantë të PS, nga ish-komisionerë dhe financues të PD. Sa të aftë do të jenë të mos provokojnë militantët e krahut tjetër, duke pasur parasysh se kemi dy palë militantë me uniformë dhe pa uniformë. Unë këtu dyshoj duke pas parasysh dhe drejtimin katastrofal që ka pasur Ministria e Brendshme. Policia bën mirë të ruajë veten dhe të mos provokojë popullin. Nuk mjaftueshëm policë as një regjim sa të provokojë popullin dhe të dalë fitimitar. Njerëzit vinë të protestojnë kundër dhunës qeveritare, vinë të protestojnë kundër varfërisë, vinë të tegojnë se nuk munden më në një moment ku 85% e pagës shfrytëzohet për ushqim dhe ushqimi nuk del.
Lidhur me mundësinë që brenda protestuesve të kamuflohen persona me precedent kriminalë, Strazimiri thotë se prej 6 vitesh të gjithë janë punësuar në qeveri.
Gent Strazimiri: Ka 6 vjet që personat me precedent penalë kanë gjetur punë në qeveri o si deputet të PS, o si kryetar bashkie. Dekriminalizimi nuk ka hequr shumë, ata janë akoma rrugëve. Influencat kriminale tregojnë se janë elementë aktivë dhe nuk janë me opozitën. Janë 128 policë të përfshirë në fushatën e kanabizimit, 3 ose 4 janë në kërkim.
Ora 11 do ti gjejë njerëzit të bashkuar te Kryeministria, por një afat për mbylljen nuk e ka as Strazimiri.
Gent Strazimiri: Nuk do të ketë asnjë sinjal, do të jemi të gjithë në shesh, pa podium. Si politikanë do ta kishim bërë punën në parlament, i kemi provuar që të gjitha, nesër që të gjithë jemi popull.
Deputeti demokrat shprehu rezerva ndaj reagimit të OSBE për protestën, duke i kujtuar edhe njëherë heshtjen ndaj kanabizimit të vendit dhe vjedhjes së votës.
Gent Strazimiri: Ka një dallim mes deklaratës së Ambasadës së SHBA dhe asaj të BE, e cila vë në dukje të drejtën për të protestuar dhe u bën thirrje palëve të mos nxisin dhunë dhe të mos provokojnë. Habia ime e madhe është për deklaratën e OSBE që është larg dy të parave. Në momente të caktuara një Ambasadë që përfaqëson interesa të caktuara, të heshtë për diçka apo të theksojë diçka më shumë është krejtësisht normale. OSBE në Tiranë përfaqëson standarde, duhet të fliste për standarde.Më vjen mirë që vazhdojmë të kemi një Ambasador të OSBE në Tiranë se nuk është ndjerë as kur u kanabizua vendi, as kur zgjedhjet e 2017 u vodhën dhe as kur dosja “339” doli në pah dhe tregoi se cilat ishin zgjedhjet në Shqipëri./ oranews.tv